Site icon Telegrafi

Edi Rama ‘ia huq’ duke shpërndarë gabimisht opinionin e saj, demantohet nga Ilire Vinca

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pasdites të së premtes ka ripublikuar një status të shkruar nga aktorja e njohur kosovare, Ilire Vinca.

Bëhet fjalë për një opinion të saj, lidhur me ndërtimin e Teatrit Kombëtar, por jo për atë të Shqipërisë, për të cilin tash e sa kohë ka debat lidhur me shembjen dhe dëshirën për ta rindërtuar të ri.

“Ilire Vinca, aktore dhe regjizore, me një sërë produksionesh të suksesshme dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar”, kishte shkruar Edi Rama, teksa kishte publikuar mendimin e aktores.

Ndërkohë, kjo e fundit e ka demantuar kryeministrin e Shqipërisë, duke shkruar se nuk e ka pasur fjalën për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, dhe se ky është një keqkuptim, i cili nuk ndodh për herë të parë.

“I nderuar Kryeministër Rama, më vjen shumë keq, por me duhet ‘ju informoj që këtë mendim, nuk e kam dhënë për Teatrin Kombëtar. Është hera e dytë qe po ndodh ky keqkuptim, ndaj më duhet të sqarohem. Ju faleminderit”, ka shkruar aktorja dhe regjisorja e njohur Ilir Vince.

Reagimi i Ilire Vinces në statusin e Edi Ramës (Foto: SC/Edi Rama/Facebook)

Një tjetër detaj i cili nuk kaloi pa u vënë re në statusin e kryeministrit ishte fakti se si ai ka shkruar gabimisht fjalën “regjisore” duke e shkruar si “regjizore”, që nuk përkon me rregullin gramatikor se si shkruhet kjo fjalë.

I njëjti po ashtu ka shkruar gabimisht edhe pozitën e aktores Vinca, duke iu referuar si anëtare e Këshillit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa e njëjta nuk e ka këtë pozitë. /Telegrafi/

Exit mobile version