Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë një përgjigje të saktë nëse do të ketë ndryshime në qeveri në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të 28 dhjetorit.
Gjatë një prononcimi për media, pas mbledhjes së Kryesisë së PS, i pari i qeverisë dha detaje të asaj që u diskutua në mbledhje, teksa la çdo mundësi interpretimi sa i takon largimeve të ministrave.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta rikompozojë kabinetin aktual qeveritar, Rama deklaroi se çdo gjë do të bëhet hap pas hapi. Në këtë kontekst, shefi i qeverisë ditën e djeshme u shpreh qartë, kur deklaroi se atij nuk i pëlqen që vendimet t’i marrë mbi bazë emocionesh apo në kushtet e imponimit, duke iu referuar këtu ndryshimeve të mundshme në qeveri, ndërsa theksoi se mendohet 1 mijë herë përpara se të hedhë hapin.
“Çdo gjë hap pas hapi. Ju e dini që unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Nga ana tjetër, unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje”, deklaroi kreu i ekzekutivit shqiptar, ndër të tjera në fjalën e tij. /INA /Telegrafi/