Telegrafi

Edi, fëmija i parë i 2013-s

Nëna Afërdita është shprehur e lumtur, duke thënë se dhurata më e mirë për vitin 2013 është djali Edi.

“Jam shumë e lumtur që pas 5 vajzave tashmë kam një djalë, e që është dhurata më e bukur për vitin 2013. Urime të gjithëve 2013-ta, gëzuar!”, tha ajo, transmeton “KosovaPress”.

Për ta përshëndetur dhe uruar nënën dhe Edin e vogël në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, erdhi edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahajga, por edhe drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi dhe sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

“Urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri. Nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë të shëndetshme të lumtur dhe me shumë begati. Të kalojë një fëmijëri dhe një jetë afër dashurisë prindërore, familjare dhe një jetë të suksesshme dhe një të ardhme me plotë të mira dhe mbarë në familjen e tij. Dua ta përgëzojë stafin dhe personelin e QKUK-së, klinikën gjinekologjike të Prishtinës dhe gjithë personelin dhe stafin e shërbimeve shëndetësore që gjithmonë japin shërbime kualitative dhe janë pranë qytetarëve”, tha Jahjaga.

Edin e vogël e vizituan edhe zyrtarë nga BKT-ja, me ç’rast i dhuruan edhe një kartel të xhirollogarisë me një shumë simbolike të të hollave prej 100 euro.

Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Mirvete Paçarada, me këtë rast ka thënë se gjatë vitit 2012 në këtë klinikë janë kryer mbi 10 mijë lindje dhe 3960 operacione.

Sipas statistikave që posedon Klinika e Gjinekologjisë nataliteti krahasuar me vitin e kaluar ka shënuar rënie. /Telegrafi/