Telegrafi

Edhe zyrtarisht ndërrohen emrat e dy shkollave në Dibër

Sot me rastin e programit të organizuar për 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, zyrtarisht është njoftuar se është ndërruar emri i dy shkollave në Komunën e Dibrës.

Pas vendimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, emrat e ri të shkollave janë shënuar edhe në Qendrën për Regjistër, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Shkolla fillore “Bratsvo edinstvo” tani do të quhet “Penestija” (sipas historianëve emri i vjetër i Dibrës), ndërsa shkolla e mesme “Zdravko Çoçkovski” do të emërohet “28 Nëntori”.

Më herët Këshilli i Komunës së Dibrës në fillim të tetorit për herë të dytë miratoi vendimin për ndryshimin e emrave të shkollave. Ndërsa ky vendim është miratuar me Badenter edhe në vitin 2012, nga këshilli i atëhershëm i komunës.

Ndryshe, për shkak të vdekjes së kryetarit të Komunës së Dibrës Ruzhdi Lata, u anuluan gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive të planifikuara për nder të 28 Nëntorit./Telegrafi/