Përpara një turme entuziaste zëvendëspresidentja, Kamala Harris u tha amerikanëve se në nëntor kanë një shans për një “rrugë të re përpara”.
Në ditën e katërt dhe të fundit të Kuvendit Kombëtar Demokrat, Harris pranoi zyrtarisht emërimin e partisë si kandidate për presidente.
“Në këto zgjedhje, kombi ynë ka një mundësi të çmuar, për të tejkaluar hidhërimin, cinizmin dhe betejat përçarëse të së kaluarës. Një shans për të përcaktuar një rrugë të re përpara, jo si anëtarë të një partie apo fraksioni, por si amerikanë”, tha Harris gjatë fjalimit të saj.
Harris u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që pranoi emërimin për presidente, nga një parti e madhe dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalimit, 59-vjeçarja premtoi të jetë një kandidate për të gjithë amerikanët pa dallim, shkruan zeriamerikes.
“Do të jem një presidente që na bashkon të gjithëve rreth aspiratave tona më të mëdha. Një presidente që udhëheq e dëgjon, që është realiste, praktike. Që vepron në mënyrë të arsyeshme dhe gjithmonë lufton për popullin amerikan. Nga gjykata në Shtëpinë e Bardhë, kjo ka qenë puna e jetës sime”, tha ajo.
Një pjesë të mirë të fjalimit të saj Harris ia kushtoi prejardhjes dhe familjes së saj, me një nënë që bëri shumë për të rritur, atë dhe motrën e saj.
“Nëna ime ishte 19 vjeçe kur përshkoi botën e vetme, duke udhëtuar nga India në Kaliforni me një ëndërr të palëkundur, për të qenë shkencëtarja që do të kuronte kancerin e gjirit”, tha ajo.
“Ne e dimë se një klasë e mesme e fortë ka qenë gjithmonë jetike për suksesin e Amerikës. Dhe ndërtimi i kësaj klase të mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime. Kjo është diçka personale për mua, pasi unë vij nga klasa e mesme”, pohoi demokratja.
Po kështu Harris solli në vëmendje të publikut dhe një nga arsyet se pse vendosi të bëhej prokurore, duke kujtuar historinë e trishtueshme të shoqes së saj në shkollën e mesme Wanda, e cila i kishte rrëfyer se abuzohej seksualisht nga njerku i saj. Harris tha se pasi mësoi rreth këtij fakti, e kishte ftuar atë të vinte në shtëpinë e saj.
“Kjo është një nga arsyet pse u bëra prokurore, për të mbrojtur njerëz si Wanda”, tha Harris.
Gjatë fjalimit të saj kritikoi ish-presidentin amerikan, Donald Trump duke shtuar se të gjithë amerikanët e dinë rrezikun që paraqet ardhja e tij në pushtet për herë të dytë.
“Në shumë mënyra Donald Trump është një njeri joserioz, por pasojat e rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë janë jashtëzakonisht serioze. Kini parasysh pushtetin që ai do të ketë – veçanërisht pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që ai të gëzojë imunitet nga ndjekja penale”, tha ajo.
Gjatë fjalimit të saj Harris tha se në krye të Shtëpisë së Bardhë do të kujdeset që ushtria amerikane të ketë forcën luftarake më të fuqishme e më vdekjeprurëse në botë. Ajo shtoi se do të përmbushë atë çka e konsideroi si detyrim të shenjtë, kujdesin për trupat amerikane dhe familjet e tyre, duke u siguruar që t’i nderojë, e kurrë të mos e përçmojë sakrificën e tyre.
“Ne do të drejtojmë botën drejt së ardhmes, në hapësirë dhe inteligjencën artificiale. Amerika dhe jo Kina, do të fitojë garën në shekullin e 21-të dhe ne do ta forcojmë dhe nuk do të heqim dorë nga roli udhëheqës në arenën globale”, tha ajo.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris tha në fjalimin e saj në Konventën Kombëtare se nëse bëhet presidente do të qëndrojë krah aleatëve të NATO-s dhe me Ukrainën.
“Trumpi, nga ana tjetër, kërcënoi se do ta braktisë NATO-n. Ai inkurajoi Putinin të sulmonte aleatët tanë. Tha se Rusia, dhe po e citoj: mund të bëjë çfarë të dojë. Pesë ditë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën, unë u takova me Presidentin Zelensky për ta paralajmëruar për planin rus për të sulmuar. Ndihmova në mobilizimin e një reagimi global të mbi 50 vende për t’u mbrojtur kundër agresionit të Putinit. Dhe si presidente, do të qëndroj e fortë me Ukrainën dhe aleatët tanë të NATO-s”, tha kandidatja demokrate për presidente.
Lidhur me luftën në Gazë, Harris tha se ajo dhe presidenti amerikan, Joe Biden po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për pengjet dhe armëpushim në këtë rajon, gjë për të cilën siç shtoi ajo, koha është tani.
“Më lejoni të jem e qartë, unë gjithmonë do të mbroj të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Do të sigurohem gjithmonë që Izraeli të ketë aftësinë për të mbrojtur veten, sepse populli i Izraelit nuk duhet të përballet më kurrë me tmerrin që një organizatë terroriste e quajtur Hamas shkaktoi më 7 tetor, përfshirë dhunën seksuale të papërshkrueshme dhe masakrimin e të rinjve në një festival muzikor”.
Ndërkaq Harris e cilësoi atë që ka ndodhur në Gazë që prej fillimit të luftës, shkatërruese e të dhimbshme, për shkak të humbjes së shumë jetëve të pafajshme, ndërsa rajoni ndodhet në dëshpërim e vuajtje.
“Presidenti Biden dhe unë po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të sigurojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, tha ajo.
Harris shtoi se ajo asnjëherë nuk do të hezitojë të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm për të mbrojtur trupat dhe interesat amerikane kundër terroristëve të mbështetur nga Irani, duke theksuar atë që e sheh si një kontrast të fortë mes saj dhe Trumpit.
“Unë nuk do të miqësohem me tiranët dhe diktatorët si Kim Jong-un që po mbështesin Trumpin, që të fitojë. Ata e dinë që ai është i lehtë për t’u manipuluar me lajka dhe favore. Ata e dinë se Trumpi nuk do t’i mbajë përgjegjës autokratët, sepse ai dëshiron të jetë vetë një autokrat”.
Shumë prej delegateve gra dhe mbështetëseve të kësaj force politike që merrnin pjesë në Kuvend, ishin veshur me të bardha – ngjyra që simbolizon të drejtën e votës së grave – një lëvizje që kulmoi me sigurimin e së drejtës për të votuar nga gratë amerikane, në vitin 1920.
Përpara fjalimit të Harrisit kuvendi u përfshi nga një atmosferë festive mbushur me fjalime në mbështetje të saj. Në skenë u ngjitën edhe dy nga mbesat e vogla të zëvendëspresidentes, të cilat u sollën aty nga aktorja Kerry Washington, për t’i kujtuar të pranishmëve në Kuvend, por dhe audiencës se si shqiptohet saktë emri i Harrisit.
Me gjithë rolin e saj si zëvendëspresidente, zonja Harris ka kaluar katër vjet nën hijen e Presidentit Biden, duke i lënë një pjesë të amerikanë të paqartë mbi historinë e saj personale dhe vizionin e saj politik për vendin.
Nga ana tjetër republikanët e kanë akuzuar Harris si “komuniste” dhe “liberale të rrezikshme”.
Ekipi i Harrisit ka vënë theksin tek e shkuara e saj në strukturat e zbatimit të ligjit, përfshirë periudhën kur ajo shërbente si prokurore e qarkut të San Franciskos dhe prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.
Harris u zgjodh më vonë anëtare e Senatin ndërsa në 2020 kandidoi, por pa sukses, për të marrë emërimin e demokratëve për garën presidenciale.
Ishte zoti Biden ai që e zgjodhi atë si kandidate për zëvendëspresidente, duke e katapultuar Harrisin në skenën kombëtare.
Edhe pse fillimisht Harris ndeshi në vështirësi në rolin e saj si zëvendëspresidente, reputacioni i saj u rrit kur ajo mori rolin e avokates kryesore të administratës Biden mbi të drejtën për abort, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për t’i hequr mbrojtjen kushtetuese që gëzonte kjo e drejtë.
Demokratët shfrytëzuan zemërimin publik rreth këtij vendimi për të frenuar humbjet e tyre në zgjedhjet e fundit për Kongresin, që përkonin me mesin e mandatit të presidentit.
Pas paraqitjes së dobët të Bidenit në debatin e parë presidencial përballë Trumpit në muajin qershor, Harris e mbrojti atë, derisa ai vendosi të largohej nga gara rreth një muaj më parë. Me ndihmën dhe mbështetjen e Joe Bidenit, Harris unifikoi Partinë Demokrate që e mbështeti me shpejtësi kandidaturën e saj për presidente.
“Miqtë e mi amerikanë, unë e dua vendin tonë me gjithë zemër. Kudo që shkoj – tek të gjithë ata që takoj – shoh një komb të gatshëm për të ecur përpara. Gati për hapin tjetër, në udhëtimin e jashtëzakonshëm që është Amerika. Unë shoh një Amerikë ku ne mbajmë fort besimin e patrembur që ndërtoi kombin tonë. Kjo gjë frymëzoi botën duke treguar se këtu, në këtë vend, gjithçka është e mundur dhe se asgjë nuk është e paarritshme”, tha në fjalimin e saj në ditën e fundit të Kuvendit Harris.