Nga: Curzio Malaparte
Një mbrëmje Mussolini, i lodhur së ndenjuri i vetëm në shtëpi, veshi një kapotë, vuri një kapele mbi sy dhe, me fytyrën të fshehur nga jaka e kapotës, doli të endej më këmbë nëpër Romë. Kur mbërriti para një kinemaje, iu tek të dëfrente si gjithë të tjerët, preu një biletë dhe hyri. Shfaqja filloi me “News Picture” dhe, afërmendsh, heroi në “News Picture” ishte vetë Mussolini, gjithnjë ai, gjithnjë Mussolini i përhershëm, në kalë, në automobil, më këmbë, në uniformë, civil, në këmishë të zezë, në frak, në aeroplan, në motoskaf. Mussolini duke kaluar në revistë trupat fashiste, duke përuruar një monument, duke kryesuar një kongres filozofësh, duke i shtrënguar dorën një kardinali, duke vizituar një kazermë, duke u ngjitur në Kampidol, duke mbajtur një fjalim, dy fjalime, tri fjalime, një pafundësi fjalimesh. Sapo që Duçja qe shfaqur në ekran i gjithë publiku qe ngritur në këmbë duke përplasur duart. Vetëm Mussolini, që nuk ishte mësuar të ngrihej në këmbë për të nderuar vetveten, kishte qëndruar ulur pa e prishur qetësinë. Një mikroborgjez modest, i ngritur edhe ai dhe duke parë atë zotëri përbri që qëndronte ulur në mënyrë aq të pakujdesshme, e preku te supi, iu përkul te veshi e i tha: “Më falni, zotëri, edhe unë e mendoj si ju, por është më mirë me u çue në këmbë”. /Pjesë nga libri: “Muss. Il grande imbecil”, Milano 2008/Marrë nga profili në Facebook i studiuesit Aurel Plasari/