Pas Maltës, edhe Turqia ka promovuar pullë postare me portretin e presidentit Thaçi.
Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, mësohet se dje këtë pullë postare ia ka dorëzuar Presidentit të Republikës së Kosovës.
Kjo shihet edhe në fotografitë e publikuara nga presidenti Thaçi.
Mikpritja e Turqisë për Thaçin, i cili njihet për raporte shumë të mira me Erdoganin, duket se ishte mjaft madhështore.
Mediet turke dje kanë raportuar se Ankaraja ishte mbushur përplot me flamuj të Kosovës, kurse në fund mikpritja atij iu shpreh edhe me vendosjen e portretit të tij në pullë postare, gjë që nuk u raportua se ishte bërë edhe për presidentin Nishani, i cili shumë pak ditë para Thaçi e kishte vizituar Ankaranë.
Vizitat e njëpasnjëshme të dy krerëve të shteteve shqiptare në Turqi, Thaçit dhe Nishanit, në një kohë kur krejt bota i ka shpresat tek Turqia për të mos e lejuar rritjen e ndikimit rus në vendet e lindjes, ashtu siç ka filluar të rritet në Ballkan, duket se kanë edhe prapavijë politike.
Presidenti i Turqisë, Erdogan, dje për mediat turke citohet të ketë thënë se problemet e Kosovës janë probleme edhe të Turqisë. /Telegrafi/