Telegrafi

Edhe tetë vende duhet të ratifikojnë protokollin që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e NATO-s

Pas ratifikimit të protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, të votuar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Turqisë dhe Kuvendi i Republikës Çeke, kanë ngelur edhe tetë vende tjera për të ratifikuar deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë.

Deri tani, njëzet shtete anëtare e kanë ratifikuar protokollin dhe kanë dhënë dritën të gjelbër për pranimin e vendit tonë në NATO. Pritet që këtë verë të bëhet edhe nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa deri në fund të këtij viti edhe vendet e mbetura aleate pritet të ratifikojnë me çka Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Zoran Zaev dje vlerësoi se ne kemi mundësi të mirë që më 3 ose 4 dhjetor të këtij viti të marrim vendim për anëtarësimin e plotë në aleancën më të fuqishme të sigurisë në botë.

Ai shprehu mirënjohjen Turqisë dhe Republikës Çeke për ratifikimin e protokollit për anëtarësim dhe shprehu besimin se deri në fund të javës së ardhshme, Britania pritet të njoftojë se ka përfunduar ratifikimin e saj dhe se Spanja do ta bëjë këtë së shpejti, pasi të formohet Qeveria dhe shumica parlamentare, me çka Parlamenti në Madrid të mund të votojë për protokollin./Telegrafi/