Telegrafi

Edhe Sylejman Selimi refuzon dekoratën e presidentit Thaçi

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, emri i të cilit figuron në listën e personave që presidenti Hashim Thaçi kishte planifikuar ta dekorojë me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, e ka refuzuar dekoratën.

Selimi ka shkruar se nuk mund të pranoj dekoratë për merita lufte, kur po mbahet padrejtësisht në burg për gjoja krime lufte.

“Si mund të dekorohem për merita lufte kur unë po mbahem padrejtësisht në burg gjoja për krime lufte? Prandaj dekorata e tillë për mua është e pa pranueshme, për aq sa unë mbahem dhe dënohem padrejtësisht”, shkruan në letrën e Selimit siguruar nga Indeksonline.

Më poshtë gjeni letrën e plotë Selimit nga Dubrava:

“Kam pase nderin te marr dekorata dhe mirenjohje nga presonalitete te ndryshme vendore e nderkombetare, nga presidente te Kosoves, nga presidente te Shqiperise, pastaj nga personalitete nderkombetare si Sekretari i Pegjithshem i NATO-s, nga admirale dhe gjenerale te NATO-s, nga shume komandante te KFOR-it, nga Kryeadministratori i Kosoves, nga Komandanti i Gardes i Shtetit te Ajovas – SHBA, nga ambasadori ameikan si dhe nga shume personalitete tjere vendore e nderkombetare.

Sa here jam dekoruar ose nderuar me mirenjohje jam ndier krenar qe eshte vleresuar kontributi dhe puna ime ne sherbimin ndaj vendit.

Por, sot ne media pash emrin tim ne mesin e shume emrave te dekoruar nga Presidenti i Kosoves ne 10 vjetorin e Pavaresise.

Si mund te dekorohem per merita lufte kur une po mbahem padrejtesisht ne burg gjoja per krime lufte?

Prandaj dekorata e till per mua eshte e pa pranueshme, per aq sa une mbahem dhe denohem padrejtesisht.

Une refuzoj kete dekorate duke mos pranuar keshtu te jam i fyer nga hipokrizia.

Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi e ka konfirmuar për KALLXO.com se i mbrojturi i tij e ka refuzuar dekoratën që i është propozuar.

“Po është e vërtetë se Sylejman Selimi ka refuzuar ta pranojë dekoratën nga ana e Presidentit Thaçi”, tha avokati Gashi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10 vjetorin e Pavarësisë mbi 200 personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mes tyre ka personalitete nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, media, gazetarë, kameramanë, publicistë, presidentë e kryeministra të Shqipërisë dhe emra që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Deri tash dekoratat e Presidentit Hashim Thaçi i kanë refuzuar Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Veton Surroi, Hydajet Hyseni, Rexhep Qosja, Fatmir Limaj, familja e Agim Zatriqit, ‘Koha Ditore’ dhe Radio ‘Kosova e Lirë’. /Telegrafi/