Spanja pranoi të shtunën dozat e para të vaksinës kundër coronavirusit nga Pfizer-BioNTech, një ditë para se vendi të fillojë fushatën e tij të imunizimit.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, një kamion me frigoriferë arriti në magazinën e Pfizer në Guadalajara në Spanjën qendrore, dërgesa e cila u nis para tre ditësh nga fabrika e Puurs në verilindje të Belgjikës.
Pas ripaketimit, vaksinat do të rishpërndahen në 17 rajonet autonome të Spanjës, në mënyrë që vaksinimi të fillojë në të gjithë vendin siç është planifikuar të dielën.
Spanja do të marrë 4.5 milionë doza të vaksinës nga Pfizer-BioNTech gjatë 12 javëve të ardhshme, të mjaftueshme për të vaksinuar rreth 2.3 milionë njerëz.
Së fundmi edhe Franca pranoi dozat e para të kësaj vaksine, për të filluar me vaksinimin nga e diela. /Telegrafi/