Telegrafi

Edhe Sllovakia sot ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Pas Polonisë, edhe Kuvendi i Sllovakisë sot e ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Sllovakia bëhet vendi anëtar i 11-të që ratifikoi protokollin.

“Kuvendet e Polonisë dhe të Sllovakisë e ratifikuan protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Hap pas hapi shkojmë drejt qëllimit, Republika e Maqedonisë së Veriut, anëtare e NATO-s”, shkroi në rrjetin social “Facebook”, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Polonia ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Më parë, sot edhe Kuvendi i Polonisë e ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Për ratifikimin e protokollin votuan 388 deputetë, njëri votoi kundër dhe dy deputetë abstenuan.

Shteti i parë që ratifikoi protokollin ishte Greqia, ndërsa pas Greqisë votuan edhe Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Lituania, Danimarka dhe sot Polonia dhe Sllovakia.

Pas ratifikimit të protokollit nga parlamentet e 29 vendeve anëtare, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO./Telegrafi/