Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë përgjegjësinë për Trepçën në vitin 2008, pasi që Bashkimi Evropian ndaloi financimin e Agjencisë Kosovarë të Mirëbesimit të cilën e kishte themeluar UNMIK-u në vitin 2002, që kishte për qëllimin rimëkëmbjen dhe përmirësimin e ekonomisë së Kosovës, thuhet në përgjigjen e marrë nga UNMIK-u në redaksinë e portalit serb Insadjer.net.
Millorad Radivojeviq, zëvendës i drejtorit të përgjithshëm të Trepçës deri në vitin 2002, ka deklaruar për mediat serbe se „gabimi kryesor është bërë, kur i është lejuar UNMIK-ut të marrë Trepçën nën administrim, kur ajo asokohe ishte shoqëri aksionare, e sipas rezolutës së UNMIK-ut këtë ka mundur ta bëjë vetëm me kompanitë publike“, transmeton Telegrafi.
„Megjithatë, shteti serb nuk e kishte kundërshtuar këtë vendim“, ka thënë ai.
Sipas mediave serbe, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, BE-ja kishte vendosur që UNMIK-u të mos menaxhojë më me Trepçën dhe se ajo bie nën kompetencat e Kosovës.
Zyrtarët e UNMIK-ut nuk kanë dashur të prononcohen për mediat serbe, lidhur me miratimin e Ligjit për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/