Shoqata e Prokurorëve të Kosovës reagon ashpër lidhur me kërcënimet për likuidim fizik të cilët janë bërë sot gjatë ditës ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.
Shoqata e prokurorëve kërkon nga Policia e Kosovës, që sa më parë të kapen kërcënuesit e prokurores dhe të sillen para organeve të drejtësisë.
Gjithashtu, njoftojmë opinionin se asnjë kërcënim apo sulm ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do të lëkund asnjë prokurorë që të zbatoj ligjin dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjellë para drejtësisë të gjitha ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale.
Më herët edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë dënuar fuqishëm kërcënimin me likuidim fizik dhe kërcënimet e tjera, të bëra gjatë ditës së sotme ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.
Në një komunikatë për media, thuhet se, këto kërcënime serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”.
Ndryshe, Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, mëngjesin e së shtunës, është drejtuar në Policinë e Kosovës, ku ka paraqitur një rast të kërcënimit./Telegrafi/