Andre Ward e ka mposhtur Sergey Kovalevin me një vendim unanim të gjyqtarëve, për të fituar titujt WBA, WBO dhe IBF në peshat e lehta.
Dueli ishte shumë i përafërt, mirëpo gjyqtarët vendosën që t’ia jepnin fitoren amerikanit me rezultat 114-113.
Boksieri rus e nisi shumë më mirë meçin, madje arriti ta rrëzojë kundërshtarin në raundin e dytë, megjithatë Ward arriti të mbahej dhe u kthye për të qenë më i mirë në gjashtë raundet e fundit duke ia dalë që të jetë edhe triumfues, njofton Telegrafi.
Sidoqoftë, Kovalev nuk ishte i kënaqur me vendimin dhe theksoi se edhe në këtë rast ishte një vendim i bazuar në politikë.
“Është vendim i gabuar. Por, unë nuk dua ta jap mendimin tim. Të gjithë janë këtu, dëshmitarët janë këtu, të gjithë e panë se çfarë ndodhi”.
“Ai i pati ndoshta disa raunde. Mirëpo, jo të gjithë duelin. Unë e pata kontrollin. Ndoshta i humba tri raunde”.
“Unë jam mysafir këtu në SHBA dhe ai është vendas, ndërsa të gjithë gjyqtarët janë nga SHBA. Pajtohem se ata duhet ta mbështesin boksierin e tyre, por sinqerisht, ky është sport. Mos e bëni sikur të jetë politikë”, ka deklaruar boksieri rus pas meçit. /Telegrafi/