Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar po hetojnë vdekjen e tre personave në qytetin skocez të Kilmarnock.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, një grua 39-vjeçare u gjet e plagosur pas një sulmi me thikë në një park makinash jashtë një spitali të enjten, por vdiq në vendin e ngjarjes pavarësisht kujdesit mjekësor.
Vetëm 20 minuta më vonë, një grua 24-vjeçare u gjet me plagë vdekjeprurëse me thikë në qendër të qytetit dhe vdiq në spital, derisa kjo e fundit vlerësohet të jetë vajza e 39-vjeçares.
Ndërkohë, një shofer 40-vjeçar mashkull u vra në një aksident rrugor afër në një incident të tretë.
“Detektivët po vazhdojnë hetimet pas tre incidenteve në zonën Kilmarnock”, tha policia në një deklaratë.
“Kërkimet e kryera deri më tani kanë treguar se incidentet ishin të lidhura dhe një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar rrethanat e sakta të asaj që ndodhi”, thuhet më tej në deklaratë.
Autoritetet potencuan mes tjerash se nuk ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm për publikun. /Telegrafi/