Site icon Telegrafi

Edhe pse ligjërisht humb mandatin e tij si deputet për shkak të dënimit me burg efektiv, Etem Arifi ende figuron si i tillë në listën e Kuvendit  

Dënimi me një vit e tre muaj burgim efektiv për mashtrim me subvencione ndaj Etem Arifit, deputet nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim (PAI), ligjërisht ka rezultuar me humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Dënimi me burgim ndaj Arifit, në janar të këtij viti, u konfirmua nga Gjykata Supreme, duke mbetur kështu në fuqi dënimin prej një viti e tre muaj i shqiptuar nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si pasojë e dënimit të formës së prerë, Arifi përveç se humb pozitën e deputetit, ndaj tij brenda pak muajve duhet të zhvillohet edhe procedura për ekzekutimin e dënimit me burgim, në përputhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe vendosjen e tij në institucionin korrektues.

Kjo pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shtyrë ekzekutimin e dënimit Etem Arifit, edhe për dy muaj të tjerë.

Ndaj Arifit, gjykata me 10 shkurt 2020 kishte lëshuar urdhërese për tu lajmëruar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.

Mirëpo, i dënuari Arifi me 2 mars 2020 kishte bërë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, e cila kërkesë i është aprovuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 10.02.2020, ka lëshuar Urdhëresë që i dënuari E.A me datë 09.03.2020 të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë në vuajtje të dënimit me burg, mirëpo me datë 02.03.2020, i dënuari E.A ka bërë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, e cila kërkesë me datë 04.03.2020, i është aprovuar dhe i është shtyrë ekzekutimi për 2 muaj”, thuhej në përgjigjen e zyrtares për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për “Betimi për Drejtësi”.

Se Arifi e ka humbur mandatin e deputetit parasheh shprehimisht edhe Kushtetua e Republikës së Kosovës, në nenin 70, paragrafi 3, pika 6, në të cilën theksohet se “mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.

Ndërsa në nenin 6, paragrafin 1 të ligjit të lartpërmendur theksohet se “Ekzekutimi i sanksionit penal fillon kur vendimi me të cilin është shqiptuar sanksioni penal e merr formën e prerë dhe nëse për ekzekutimin e tij nuk ka pengesa ligjore”.

Ndërsa në nenin 12 të të njëjtit ligj, paragrafi 1, theksohet se “Personi i dënuar me burgim vendoset në institucionin korrektues, nëse kohëzgjatja e burgimit pas llogaritjes së paraburgimit, ose të privimit tjetër nga liria lidhur me veprën penale i kalon tre (3) muaj.

”Përderisa ligjërisht, ndaj Arifit do duhej të fillonte ekzekutimi i dënimit me burgim brenda pak muajve, rezulton se i njëjti ende cilësohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, bazuar në ueb faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Njëjtë thuhet edhe në Ligjin nr.03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku ceket se një deputeti i përfundon para kohe mandati, kur ndaj tij është shqiptuar dënim i formës së prerë me burgim në kohëzgjatje për një ose më shumë vjet burgim.“1.6. Nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg”, thuhet në nenin 8 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili nen flet për përfundimin e mandatit të deputetit.

Humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit, e ka paraparë edhe Rregullorja e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo rregullore, në nenin 25, pikën d, njëjtë sikurse Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ka paraparë që deputeti e humb mandatin në raste se dënohet për ndonjë vepër penale me një vit e më shumë burgim.

 

 

Exit mobile version