Site icon Telegrafi

Edhe pse e gjithë bota flet për Korenë e Veriut, “Lufta finale” nuk do të jetë atje!

Koreja e Veriut është tashmë në qendër të vëmendjes botërore dhe debatit të diplomacisë ndërkombëtare. Testet e raketave nga Pheniani përbëjnë, për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe për stabilitetin botëror, dhe kancelaritë e Azisë, Evropës dhe Amerikës së Veriut janë duke punuar pa u lodhur, për të shmangur konfliktin.

Një konflikt që, në rastin e Koresë së Veriut, mund të bëhet konflikti i parë me përdorim armësh bërthamore, që nga Hiroshima dhe Nagasaki.

Tani për tani, e vetmja gjë e sigurt është se Kim Jong-un, me të gjithë kufizimet e tij, është një personazh i pakuptueshëm, por jo i çmendur. Lideri i Koresë e di se një luftë me Shtetet e Bashkuara nuk do të ketë pasoja pozitive për të, përveç asgjësimit të qeverisë së tij, ndryshimit të regjimit dhe vdekjes së miliona njerëzve.

Koreja e Veriut nuk mund të angazhohet në një konflikt, sepse ajo e di se, duke shkaktuar viktima të panumërta, nuk do të marrë asgjë.

Dhe po për këtë arsye, nga Pentagoni frenojnë mbi hipotezën e një të ashtu-quajture “luftë parandaluese”: nuk ka sulm parandalues që do të eliminonte të gjitha raketat brenda disa sekondave dhe madje edhe në rastin më të mirë, do të kishte kohë për të Phenianin që të lëshonte qoftë edhe një raketë të vetme, në gjendje të shkatërronte një qytet në territorin e Koresë së Jugut.

Në këtë kuptim, është interesante të theksohet se si, është pikërisht kjo situatë e rrezikut të vazhdueshëm që duket se garanton përjashtimin e një lufte të hapur, sepse askush nuk dëshiron të vërë në lojë ekzistencën e vet.

Por ndërsa e gjithë bota flet për Korenë e Veriut si një element të aftë që të zhysë botën përsëri në kaos atomik, po zbulohet gjithashtu hipokrizia, si një kuti Pandore, e sistemit politik ndërkombëtar.

Sepse në qoftë se testet e raketave nga Pheniani janë konsideruar si një kërcënim për botën, ka një tjetër skenar, mes dy vendesh të tjera, ku situata është dukshëm më komplekse dhe me ngjyra më të ndezura, se ajo koreane.

Duke shkuar më poshtë, në fakt, në jug, në drejtim të Oqeanit Indian, dy shtete në luftë me njëri-tjetrin vazhdojnë të zhvillojnë programe të avancuara bërthamore, dhe testime të raketave balistike të vendosura kundër njëra-tjetrës: bëhet fjalë për Indinë dhe Pakistanin.

Të dy vendet aziatike jetojnë në një gjendje lufte të vazhdueshme dhe nuk e kanë firmosur traktatin për mospërhapjen bërthamore.

Në muajt e fundit, testet balistike janë rritur dhe kanë manifestuar, përballë indiferencës së botës, faktin se paqja mes këtyre dy kombeve është shumë larg.

India, në dhjetor të vitit të kaluar, kreu testin e fundit për lëshimin e raketës Agni-V. I rëndë 50 ton dhe 17 metra e gjatë, transportuesi është në gjendje të transportojë mbushje bërthamore deri në 2.500 kilometra larg.

Një test që i jep Indisë çelësat e futjes në klubin e vendeve të aftë për të kryer një luftë bërthamore ndërkontinentale. Një test me rëndësi kyçe për stabilitetin e Azisë, por që asnjë në forumin ndërkombëtar nuk ka vendosur ta dënojë.

E megjithatë, duhet kujtuar, India aktualisht është në luftë me Pakistanin mbi Kashmirin dhe vazhdon të shtojë fërkimet me superfuqinë rivale të Kinës. Pra, nuk duhet nënvlerësuar se në Nju Delhi kryhen teste të kësaj shkalle, sidomos kur mendohet që është një vend i cili zotëron të paktën 120 mbushje bërthamore.

Pakistani, në të njëjtën kohë, ka një fuqi bërthamore më të madhe se ajo e Indisë dhe gjithashtu vazhdon të kryejë teste balistike, jo veçanërisht të dobishme për stabilitetin e rajonit dhe për paqen me Indinë fqinje. Arsenali i tij përbëhet nga rreth 140 mbushje bërthamore dhe, ashtu si India, edhe nga anët e Islamabadit janë duke punuar për të zgjeruar numrin e mbushjeve.

Testet e fundit të raketave nga Pakistani kanë treguar gjithashtu një rritje në kapacitetet balistike: në janar të vitit 2017 u testua me “sukses” lëshimi i një rakete Babur-3 që mund të transportojë një kokë rakete rreth 450 kilometra larg. Dallimi në krahasim me testet indiane, është se ky test është bërë nga një nëndetëse, kështu që kjo e bën 450 km një rreze shumë më të rrezikshme.

Për ta bërë edhe më shqetësuese skenën bërthamore mes Indisë dhe Pakistanit, erdhi deklarata e fundit e ish-udhëheqësit pakistanez Musharraf, që zbuloi se në vitin 2002, pas sulmit në Parlamentin indian nga grupet terroriste islamike, ne mbërritëm në një pikë tensioni, ku për ditë të tëra u mendua të sulmonim me raketa bërthamore Indinë.

Dhe, edhe India, nga ana e saj, kurrë nuk ka mohuar se kishte dërguar në mënyrë specifike një ultimatum për qeverinë në Islamabad me kërcënimin e raketave bërthamore në tokën pakistaneze. Një skenar i luftës i cili më vonë u rizgjua në vitin 2008, kur grupi islamik Lashkar-e-Taiba vrau qindra njerëz në Bombei, dhe qeveria indiane kishte vendosur tashmë që të mobilizonte ushtrinë për të pushtuar Pakistanin. Dhe janë skenarë që mund të përsëriten në vitet e ardhshme, sidomos për shkak të forcimit të aleancës midis Pakistanit dhe Kinës dhe marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta mes Indisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Armiqësia mes Indisë dhe Kinës është bërë gjithnjë e më e rëndësishme në gjeopolitikën aziatike, dhe konflikti midis Nju Delhit dhe Islamabadit do të jetë vetëm preludi i një lufte me spektër të gjerë, ku po, me të vërtetë, që mund të përdoren armët bërthamore.

Një rrezik që transformon kërcënimet e Kim Jong-un në diçka shumë më pak shqetësuese, por që zbulon të gjitha hipokrizitë e perceptimit të problemit të armëve bërthamore në botë. /Bota.al/

Exit mobile version