Një grua në Australi ka rënë nga një shkëmb derisa po tentonte të bënte një “selfie”.
Rossie Lomba, 38-vjeçe, kishte shkuar në parkun nacional Grampians në Victoria të Australisë, ku edhe ndodhi incidenti me gruan që ishte së bashku me djalin e saj, transmeton Telegrafi.
Policia australiane thotë se Rossie kishte kaluar rrethojën mbrojtëse duke injoruar shenjat paralajmëruese, ku si rezultat i këtij veprimi ra nga shkëmbi mbi 80 metra i lartë.
Dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar britmat e saj, por se nuk kanë mundur ta ndihmojnë. E policia e ka nxjerr trupin e saj të pajetë, pas më shumë se gjashtë orëve përpjekje.
Ciceroni i turistëve Graham Wood, ka thënë se kishte paralajmëruar vizitorët vetëm gjysmë ore më herët që të mos injorojnë shenjat paralajmëruese.
Parku Grampians është një destinacion turistik shumë i pëlqyer dhe mijëra foto në Instagram, që postohen nga përdoruesit janë shkrepur pikërisht atje. /Telegrafi/