Telegrafi

Edhe një vdekje tjetër e dyshimtë në elitën ruse, ndërron jetë kreu i kantierit detar në Shën Petersburg

Një kantier detar i madh rus i specializuar në ndërtimin e nëndetëseve jo-bërthamore, ka njoftuar se drejtori ekzekutiv i saj Alexander Buzakov, ka ndërruar jetë papritur të shtunën, pas 11 vitesh në punë, duke mos dhënë detaje për shkakun e vdekjes.

Admiralty Shipyards, me qendër në portin perëndimor të Shën Petersburgut, njoftoi në një deklaratë vdekjen e Alexander Buzakovit. Ai ishte drejtor që nga gushti i vitit 2012, transmeton Telegrafi.

Kantieri detar ndërton nëndetëse të përmirësuara të klasit Kilo me naftë, të afta për të lëshuar raketa Kalibr. Në prill, Moska tha se përdori një nëndetëse me naftë në Detin e Zi, për të sulmuar objektivat ushtarake ukrainase me Kalibr.

Është interesant që vdekje të tilla misterioze kanë ndodhur në masë të madhe në Rusi, që kur presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Më parë kishin vdekur në rrethana misterioze njerëz të pushtetshëm të Kremlinit, por që konsideroheshin se me nisjen e luftës në Ukrainë, ia kishin kthyer shpinën Putinit.

Shumica prej tyre janë gjetur të vdekur nëpër vilat që i kishin në zonat malore, e të gjithë ata dikur kishin lidhje të ngushta me Putinit, por që së fundmi kishin “devijuar” nga linja e tij – duke nxitur dyshime se mund të jenë eliminuar nga FSB-ja ruse. /Telegrafi/