Një ushtar i Koresë së Veriut ka ikur në orët e para të mëngjesit në Korenë e Jugut, dhe kjo është arratisja e dytë që ka ndodhur gjatë pesë javëve të fundit dhe e katër nga fillimi i vitit.
Agjencia jugkoreane Jonhap ka njoftuar se ushtari 19-vjeç ka shfrytëzuar mjegullën për të ikur, kurse askush nuk kishte qëlluar në drejtim të tij siç kishte ndodhur në rastet e mëparshme, transmeton Telegrafi.
Raportohet se ushtria jugkoreane kishte shkrepur 20 plumba nga pushka automatike K-3 si paralajmërim, kur veriorët iu afruan zonës së demilitarizimit, ndërsa një orë më vonë janë dëgjuar të shtëna armësh nga ana territori i Koresë së Veriut.
Raportet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut janë acaruar shumë së fundmi, pasi lideri Kim Jong-un vazhdimisht është duke lansuar raketa balistike, duke kërcënuar sigurinë në Gadishullin korean. /Telegrafi/