Telegrafi

Edhe një takim pa rezultat konkret – finalja në Baden të Austrisë

Ndërkaq, Treshja ndërmjetësuese, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se takimi i ardhshëm i palëve do të mbahet më 26 deri më 28 nëntor, në Baden të Austrisë.

Treshja e Grupit të Kontaktit e përbërë nga i dërguari amerikan Frank Wisner, ai i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger dhe përfaqësuesi rus, Alexsander Botsan Kharchenko, nëpërmjet një komunikate për opinion ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime të ndara me të dyja palët për të debatuar qëndrimet e tyre, si dhe pikëpamjet e treshes mbi negociatat.

Nga ana e saj, Prishtina ka përshkruar pikëpamjen e saj për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, sipas propozimit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Beogradi ka shpjeguar ndërkaq, pikëpamjet e veta për një autonomi të gjerë të Kosovës në kuadër të Serbisë. Pala serbe ka propozuar që statusi i Kosovës të afatizohet për 20 vjet, ndërsa ka ofruar një zgjidhje sipas modelit të Hong Kongut, apo edhe ishujve Okland të Finlandës, ku jeton popullsi suedeze, e cila kishte kërkuar shkëputje më 1917, ndërsa më 1920 i ishte dhënë një shkallë e gjerë e autonomisë nga Liga e atëhershme e Kombeve, por ishte ruajtur sovraniteti i Finlandës mbi këta ishuj.

Prishtina ka hedhur poshtë çdo ide tjetër për zgjidhjen e statusit të Kosovës përveç pavarësisë së saj, përfshirë edhe idenë e Ischingerit për një status neutral. Ky propozim është hedhur poshtë edhe nga Beogradi, ndërsa vetë Ischinger ka theksuar, se këtë propozim do ta diskutojë me kolegët e tij nga Grupi i Kontaktit, para se ta hedhë në tryezën e bisedimeve.

Në njoftimin e treshes thuhet se të dyja palët kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për t’u përmbajtur nga veprimet, apo deklarimet që mund të dëmtojnë sigurinë në Kosovë, thuhet në njoftimin e treshes së Grupit të Kontaktit.

Takimi i radhës do të mbahet në Baden të Austrisë dhe do të zgjasë tri ditë nga 26 deri më 28 nëntor. Treshja e Grupit të Kontaktit u ka theksuar se do të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme për të gjetur një zgjidhje ndërmjet të dyja palëve, ndërsa më dhjetë dhjetor treshja do t’i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Grupi i Kontaktit mori përsipër procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pas dështimit të këshillit të Sigurimit për të arritur një konsensus, për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. /VoA/REL/