Kjo ndeshje u zhvillua në palestrën ‘1 Tetori’ për arsye se salla në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është duke u rinovuar siç kemi paralajmëruar ditë më parë.
Të pranishëm ishin pak shikues, prej tyre kishin ardhur edhe disa nga tifozët e Plisave të cilët asnjëherë nuk e lënë ekipin vetëm.
Bardhekaltërit e nisën shumë mirë këtë takim, me një lojë të mençur dhe aksione të shpejta ata arritën që të krijonin një epërsi të lartë prej 25 pikëve në përfundim të kësaj pjese, 51-26.
Në çerekun e tretë Bashkimi i ndezi motorët dhe luajti më mirë se vendasit, por nuk arritën ta shkrijnë epërsinë që kishin krijuar bardhekaltërit në pjesën e parë.
Çereku i katërt u zhvillua vetëm sa për hir të protokollit sepse fituesi tashmë dihej, këtë e shfrytëzoi edhe trajneri i Sigal Prishtinës, Ceyhun Cabadak, për t’i aktivizuar disa lojtarë që nuk po marrin shumë minutazh. Ndeshja përfundoi me 22 pikë epërsi për bardhekaltërit, përkatësisht 94-72.
Te vendasit më së shumti u dalluan Blerim Mazreku dhe Dardan Berisha, ndërsa për mysafirët lojë të mirë shfaqi veterani Valdet Spaqi dhe qendra e huaj Denis Vraljko. /Telegrafi/