Site icon Telegrafi

Edhe një demant i pretendimeve të Vuçiqit për çnjohje, konsulli i Kosovës në New York dhe ambasadorja e Maldiveve rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve

Pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe Maldiveve, por një gjë e tillë është demantuar nga konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, i cili ka takuar ambasadoren e Maldiveve në SHBA.

Reka, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se gjatë takimit me ambasadoren e Maldiveve janë rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Maldiveve.

“Kënaqësi të takoja ambasadoren Thilmeeza, ambasadore e Maldiveve në SHBA dhe Përfaqësuese e Përhershme e Maldiveve në OKB. Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, Kosovë – Maldive që nga viti 2009”, ka shkruar Reka, transmeton Telegrafi.

Në kuadër të propagandës kundër Kosovës, presidenti serb kishte përmendur edhe tërheqjen e njohjes nga Eswatini.

Një gjë e tillë është demantuar nga Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, i cili është takuar sot me komisioneren e lartë të shtetit të Eswatinit në Londër.

Kapiti ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Twitter se kanë diskutuar për forcim të marrëdhënieve mes Eswatinit dhe Kosovës.

E shpallur e pavarur 15 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Po ashtu Pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga 5 vendet anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Rumania,  Sllovakia, Greqia dhe Qipro. /Telegrafi/

Exit mobile version