Problemet nuk kanë të ndalur për aktorin dhe producentin hollivudian, Harvey Weinstein.
Zyra e Prokurorisë së Qytetit të Nju Jorkut njoftoi sot se një grua ka ngritur një padi tjetër kundër 66-vjeçarit, i cili tashmë është akuzuar për përdhunim dhe abuzimin seksual të dy grave.
“Aktakuza e re i referohet një “akti seksual të detyruar” në vitin 2006 dhe për këtë vepër regjisori mund të vuajë dhjetë vjet burg”, tha prokuroria.
Kjo e fundit ka rikujtuar se dy paditë e para lidhen me veprimet e kryera në vitin 2013 dhe 2014.
Tani për tani, nuk dihen detaje, ndërsa prokuroria vetëm deklaroi se aktakuzat ishin “rezultat i guximit të viktimave” që të mos heshtnin.
Një skandal mbi abuzimin seksual të producentit dikur me influencë të Hollywoodit ka shkaktuar një valë të zbulimit të rasteve të ngjashme në mbarë botën.
Theksojmë se ndër femrat që kanë akuzuar publikisht Weinsteinin janë edhe dy aktoret e famshme, Angelina Jolie si dhe Gwyneth Paltrow. /Telegrafi/