Site icon Telegrafi

Edhe në zgjedhjet e 11 qershorit mund të garojnë personat me të kaluar kriminale

Persona të dyshuar për korrupsion dhe krime, si dhe ata nën hetime dhe me akuza nëpër gjykata, mund të jenë sërish nëpër listat zgjedhore të partive politike. Mungesa e një ligji apo kodi të mirësjelljes, përmes së cilit do të pranoheshin rregullat e reja për pjesëmarrje në zgjedhje, bën që partitë politike të vendosin vetë nëse në lista do t’i përfshijnë edhe personat e tillë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se në listat zgjedhore nuk mund të përfshihen personat që janë shpallur fajtorë me vendim përfundimtar të gjykatës këto tre vjetët e fundit. Ndërkaq, për personat tjerë ajo tha se mbetet te partitë politike që të vendosin.

Betim Musliu nga Instituti për Drejtësi shprehet se mundësia që në zgjedhje të garojnë edhe njerëz nën hetime apo me procese të hapura gjyqësore, është tregues se Kosova ende nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë institucione me njerëz me të kaluar të pastër.

“Është fatkeqësi e madhe që sërish individë, të cilët kanë probleme me ligjin, të kenë mundësinë që të jenë pjesë e listave dhe të bëhen pjesë e qeverisjes së ardhshme. Ky është një tregues që shpresat për të pasur një qeverisje më të mirë janë të zbehta nëse partitë politike do të vendosin që kandidatët me të kaluar kriminale t’i vendosin në lista zgjedhore dhe me ta të ndërtojnë qeverinë”, thotë Musliu.

Zgjedhjet e parakohshme pamundësuan hartimin dhe miratimin e një kodi i cili ishte prezantuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilit pretendohej se do t’u ndalohej pjesëmarrja në zgjedhje dhe puna në institucionet e shtetit të gjithë personave që kanë lëndë të hapura nëpër gjykata.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë poste për njerëz nën hetime”, kishte deklaruar Thaçi. “Unë do të propozoj një kod për dekriminalizimin e politikës, ku asnjë kandidat nuk do të jetë në listat zgjedhore për deputet, nëse ai ka çfarëdo lloj aktakuze”.

Por, nisma e Thaçit, sipas Musliut, ishte e gabuar që nga fillimi. Sipas tij, kjo çështje nuk mund të rregullohet me Kodin Penal, por me një Kod të Mirësjelljes që do të nënshkruhej nga vetë partitë politike dhe të cilat do të parandalonin në njëfarë forme që individë të tillë të jenë pjesë e listave dhe qeverisjes.

Gjatë të gjitha mandateve paraprake, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të Qeverisë, persona me poste nën-ministrore e deri te përfaqësuesit e institucioneve në nivelin lokal, janë ballafaquar në vazhdimësi me aktakuza, gjykime dhe ndjekje penale. Pavarësisht thirrjeve që u janë bërë nga diplomatë ndërkombëtar dhe përfaqësues të shoqërisë civile, partitë politike në zgjedhjet e kaluara patën garuar edhe me kandidatë nën hetime, duke pretenduar se askush nuk është i fajshëm përderisa nuk ka një vendim të prerë nga gjykata. /REL/

Exit mobile version