Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se viti 2016 nuk është karakterizuar me ndonjë zhvillim të dëshirueshëm ekonomik.
Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse Qeveria e Kosovës ka qenë e fokusuar në agjendë politike.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e Re”, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se edhe në vitin 2017 ekonomia do të mbetet nën hijen e politikës për shkak të zgjedhjeve dhe Gjykatës Speciale, të cilat, sipas tij, do ta marrin fokusin ndaj agjendës ekonomike. “Edhe në 2017-n nuk presim zhvillim ekonomik, pasi do të jetë një vit i fokusuar në politikë. Vitin e ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet e që do ta marrin një kohë të gjatë. Po ashtu, do ta marrin edhe një energji me fokus të lartë. Zgjedhjet do të jenë arsye pse ekonomia do të jetë në hijen politike”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka thënë se, pavarësisht rritjes së paraparë të buxhetit për vitin 2017, përsëri sektori privat do të përballet me sfida.
Në këtë intervistë ai ka bërë me dije se më 14 dhjetor 2016 në qytetin e Ferizajt do të hapet qendra më e madhe kombëtare tregtare, e cila do të përmbajë vetëm produkte vendore. “Ne do ta përfundojmë aktivitetin tonë më 14 dhjetor 2016, me hapjen e qendrës më të madhe kombëtare tregtare në Ferizaj, me prodhime vendore. Me hapjen e kësaj qendre do të përmbyllen aktivitetet tona njëmujore”, është shprehur Shahini. /Epoka e Re/Telegrafi/