Site icon Telegrafi

Edhe në kushte pandemie, do të shënohet 57-vjetori i tërmetit katastrofal në Shkup

Shkupi me më shumë aktivitete do të shënojë 57 vjet nga tërmeti katastrofal në vitin 1963, në të cilin 1.070 njerëz e humbën jetën, ndërsa 3000 u lënduan. Këtë vit, për shkak të situatës specifike me pandeminë Kovid-19, të gjitha aktivitetet do të organizohen në përputhje me protokollet e rrepta për ngjarje të tilla të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Organizata Komunale e Kryqit të Kuq nga Kisella Voda në bashkëpunim me Institutin për Mjekësi Transfuzive dhe Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit sot do ta organizojnë fushatën tradicionale të dhurimit të gjakut. Aksioni do të mbahet në Qendrën ditore për dhurim të gjakut në Shtëpinë e organizatave humanitare “Dare Xhambaz”, nga ora 9 e mëngjesit deri në ora 17. Aksioni do të kryhet sipas protokolleve speciale për shkak të Kovid-19.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të tërmetit, Qyteti i Shkupit dhe institucionet kulturore publike do të organizojnë tradicionalisht një numër ngjarjesh.

Muzeu i Qytetit të Shkupit organizon ekspozitë për tragjedinë e madhe që ndodhi më 26 korrik 1963. Autore e ekspozitës “Rruga e Shkupit rrugë e solidaritetit ndërkombëtar” është Zoja Bogdanovska, historiane – këshilltare kuratore. Ekspozita do të vendoset të shtunën, në ora 20:00, në Parkun e Qytetit në Shkup, në pllajën përpara monumentit të Goce Dellçevit. Ekspozita do të hapet nga Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Të 14 panelet përqendrohen në momentet kryesore pas fatkeqësisë, ndihmën e parë nga Republikat e atëhershme jugosllave dhe Kosova, si dhe nga dora e shtrirë e botës për ta ndihmuar popullsinë e prekur nga Shkupi. Përmbajtja e ekspozitës, e mbushur me tekste, fotografi dhe harta do t’i ofrojë audiencës më shumë informacione se si ishte Shkupi para tërmetit, si dhe çfarë u bë Shkupi gjatë kohës së ndihmës humanitare dhe solidaritetit për qytetarët e botës.Të dielën, delegacionet zyrtare dhe përfaqësuesit e institucioneve do të vendosin lule përpara Monumentit për viktimat e tërmetit katastrofal në varrezat e Qytetit në Butel.

“QKR për Shkupin” është titulluar ngjarja multimediale të cilën të dielën, 26 korrik, do ta organizojë Qendra Kulturore Rinore për të shënuar 57 vjet nga tërmeti katastrofal në Shkup. Ngjarja do të mbahet në parkun e QKR-së sipas protokollit përkatës dhe respektimit të masave të mbrojtjes. Numri i vizitorëve do të jetë i kufizuar, hyrja është falas, por me bileta që mund të blihen përmes bileti.mkc.mk.

“QKR për Shkupin” më 26 korrik do të fillojë në mbrëmje në ora 19:30 me ekspozitën “Ndërtimet kult të Shkupit” – një përzgjedhje fotografish nga projekti “101 ndërtimet më të rëndësishme të Shkupit”. Ekspozita i paraqet ndërtesat kult në Qytetin e Shkupit, të plotësuara edhe me një video projeksion.

Me rastin e 57 vjetorit të tërmetit të Shkupit, Kinoteka dhe Qendra e Maqedonisë për Fotografi (MCF) do të prezantojnë premierën e dy dokumentarëve: “Lufta e Parë Botërore, Kujtime” nga Robert Jankulloski dhe “Kujtime të mbijetuara” nga Robert Jankulloski dhe Monika Moteska. Ngjarja, me titull “Kujtime”, është planifikuar për më 26 korrik, me fillim nga ora 21:00.

Tërmeti katastrofal në Shkup ka ndodhur më 26 korrik 1963 në orën pesë e 17 minuta, ndërsa dridhje të vogla kanë ndodhur deri në orën pesë e 43 minuta. U rrënuan 15.800 shtëpi dhe 28.000 u dëmtuan. Më shumë se 200.000 njerëz mbetën pa shtëpi./AIM/

Exit mobile version