Trupat e Karabinierëve Italianë kanë shënuar sot përvjetorin e 204-të të themelimit. Ky përvjetor u shënua edhe në Kosovë.
Me këtë rast në një ceremoni të mbajtur në bazën e komandës së KFOR-it Italian në Prishtinë, kanë folur koloneli i Karabinierëve në Kosovë, komandanti i KFOR-it, si dhe ambasadori italian.
Koloneli i Karabinierëve, Marko Di Stefano, ka thënë se karabinierët kudo në Itali dhe jashtë saj shërbejnë për drejtësi dhe siguri, e njashtu edhe në Kosovë.
“Trupat e Karabinierëve kanë eksperienca për secilin lloj të ngjarjeve në Itali duke kontribuar në zhvillimin shoqëror dhe moral të shtetit dhe duke shpenzuar të gjitha përpjekjet e saj për të arritur idealin e drejtësisë dhe demokracisë, brenda kufijve dhe institucioneve dhe po ashtu jashtë kufijve nacionalë. Siç mund të shihet edhe nga flamujt që valojnë në këtë shesh që është dedikuar për viktimat e sulmeve të tmerrshme në Siri, për të shprehur mirënjohjet tona për të gjithë karabinierët e rënë dhe familjaret e tyre me të cilët ndihemi të lidhur me solidaritet”, ka thënë Di Stefano.
Sipas tij, “shumë karabinierë kanë dhënë jetën e tyre për lirinë, dhe jo liri për dikën apo diçka, por lirinë për të bërë diçka të mirë për të tjerët dhe për gjeneratat e reja”.
Dhe për këtë arsye sipas tij karabinierët janë edhe në Kosovë tash e 19 vjet duke kontribuar në ndërtimin social të saj dhe duke bashkëpunuar me institucione dhe qytetarët duke shënuar se tani më shumë se kurrë duhet të shikohet nga e ardhmja me shpresë.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali i divizionit të ushtrisë italiane Salvatore Cuoci, tjetër foli për lavdinë e karabinierëve dhe rolin e tyre kudo.