Kosova ende nuk ka filluar trajtimin e pacientëve me COVID-19 përmes plazmës së gjakut të atyre që e kanë kaluar këtë virus, por një gjë e tillë pritet të ndodh shumë shpejt pasi që tashmë ekziston edhe baza ligjore.
Infektologu Izet Sadiku tha për RTV Dukagjinin se kjo metodë tashmë është e realizueshme edhe në Kosovë dhe sipas tij në muajin tetor mund të ndodh një trajtim i tillë.
“Edhe në aspektin ligjor tashmë është mundësuar të aplikohet nja trajtim i tilla pasi që Ligji për Pandeminë e COVID-19 e mundëson që në Kosovë për hulumtime klinike të përdoret plazma rekonvaleshente dhe tashmë një grup i ekspertëve të prirë nga ata të Klinikës Infektive të specifikojnë mënyrat e grumbullimit dhe cilët pacientë mund të dhurojnë plazmën”, deklaroi Infektologu Izet Sadiku.
Nga ana tjetër drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi thotë se tashmë ata janë në shqyrtim të përdorimit të kësaj procedure, përcjell Telegrafi.
“Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut është e gatshme që një procedurë të tillë të dhurimit të gjakut ta realizojë. Kuptohet kjo do të bëhet me ata që e kanë kaluar tashmë sëmundjen dhe që ka pasur reagim në organizmin e tij nëpërmes të formimit të antitrupave kundër COVID-19. Dhuruesi një gjë të tillë duhet ta dokumentojë si dhe ai duhet t’i plotësoj kushtet e dhurimit të gjakut sikurse në procedurë normale. Pra do të thotë se ai duhet të ketë peshën, moshën dhe kushtet tjera që duhet t’i plotësoj një dhurues i zakonshëm”, tha Zhubi.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për RTV Dukagjinin kanë thënë se në momentin që mjekët e fushës përkatëse sigurojnë se një procedurë e tillë mund të realizohet edhe në Kosovë, ata do të japin dritën e gjelbër për realizimin e saj./RTV Dukagjini/Telegrafi/