Site icon Telegrafi

Edhe ministrja Hoxha i del në mbrojtje Jahjagës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, i ka dhënë mbështetje ish- presidentes Atifete Jahjaga, në rastin e çështjes së Shyhrete Berisha, të cilës, sipas saj i ishte bërë padrejtësi edhe nga familjarët pas tragjedisë që kishte pësuar.

Ministrja Hoxha ka shkruar në rrjetin social se Jahjaga “njëkohësisht ngriti zërin për të vetëdijesuar shoqërinë se barazia gjinore nuk është vetëm kuotë por vlerë e shoqërive moderne.”

Postimi i plotë i Ministres Hoxha:

“Një ndër vlerat kryesore të çdo shoqërie është pa dyshim respektimi i të drejtave dhe lirive themelore. Barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm deklarative por duhet të besojmë vërtetë në të. Le të përkrahim gratë qe guxuan të ngrisin zërin ndaj padrejtësive. Presidentja Jahjaga ngriti zërin kundër një padrejtësie ndaj znj. Shyhrete Berisha dhe njëkohësisht ngriti zërin për të vetëdijesuar shoqërinë se barazia gjinore nuk është vetëm kuotë por vlerë e shoqërive moderne.
Të dashur miq, ju ftoj që ta ndajmë të gjithë në murin tonë fjalimin e Presidentes Jahjaga për Shyhrete Berishen. #mePresidenten #meGratë
Zonja dhe zoterinj,

Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua që jam sot këtu me ju.

Ju falemnderit për këtë mundësi që të vlerësojmë rrugën tonë të përbashkët për fuqizimin e grave të Kosovës në një kohë kur gradualisht si shoqëri po vetëdijësohemi për rolin dhe kontributin e tyre. Arritjet janë të shumta, dhe ne të gjithë jemi përkrahës e dëshmitarë të tyre. Por edhe zbrapsjet tona si shoqëri nga rruga e barazisë gjinore, sa herë që ndodhin, janë shumë të vrazhda. Të shëmtuara. Plotësisht të turpshme.

Ne mund të krenohemi si shteti i parë në rajon me grua presidente. Me kryetaren e parë të një komune, grua. Me kuotën e përfaqësimit të gruas në parlament.
Por, të gjitha këto arritje zbehen dhe zhbëhen për secilen prej nesh kur jemi dëshmitarë të dramës nëpër të cilën po kalon Shyhrete Berisha.

Shyhretja, si shumë gra të Kosovës, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. E plagosur fizikisht dhe e vrarë emocionalisht, Shyhretja ka mbijetuar fare rastësisht, e lënë për të vdekur, e mbuluar me trupat e pajetë fëmijëve e bashkëshortit të saj në kamionin ku forcat serbe i kishin ngarkuar anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka.Pak nga ne kishim menduar që dy dekada pas luftës, Shyhretes, që po luftonte me ngulm për t’u hapur varre për t’i qarë fëmijët e saj, e po kërkonte drejtësi për vrasësit e familjes së saj, do t’i ngarkohej edhe një betejë tjetër për drejtësi.

Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar përjetë nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës. Nuk e kisha menduar që një shtet ligjor do ta dështojë kështu gruan, vuajtja e së cilës është vet bazamenti i këtij shteti.

Unë dua t’i ngris disa pyetje, që ndoshta diskutimi i mëvonshëm edhe mund të jap përgjegje:

1. Si mundemi, ne, respektuesit e kuotës së tridhjetë përqindshit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të hiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë – ja mori padrejtësisht?
2. Si mundemi ne, kur sot, në mesin tonë, këtu, kemi gra, secila e fuqishme, secila shembull për komunitetet e tyre, secila punëtore dhe me etikë të punës, t’i mbyllim sytë para një padrejtësie të tillë?
3. Si mundemi të sillemi kështu para gjeneratave të reja, të cilave po u premtojmë se Kosovën do ta bëjmë vend të ëndrrave të tyre?
Si Shyhretja ka shumë në Kosovë, pre e një kulture që vazhdimisht sposton gruan në pozitë inferiore, një pozitë të dytë. Të sigurohemi që ato t’i ndiejnë efektet e punës tonë për të jetësuar këtë barazi që ajo të mos mbetet vetëm në letër.”

Exit mobile version