Telegrafi

Edhe Microsoft me aplikacion rival për Snapchat

Gjiganti softuerik është duke synuar të përfitojë nga kritikat e fundit ndaj Snapchat, përkatësisht nga ankesat e shumta lidhur me privatësinë e përdoruesve.

Më herët gjatë vitit, një dobësi e sigurisë ka bërë që të dhënat nga llogaritë e pothuajse 5 milionë përdoruesve të rrjedhin në internet, ndërsa në muajin maj Komisioni Federal i Tregtisë kishte thënë se megjithatë, kompania nuk i ka mashtruar përdoruesit.

Edhe pse Snapchat mbetet ende një shërbim i famshëm me më shumë se 30 milionë përdorues aktivë, Microsoft shpreson se mungesa e besimit në këtë aplikacion do ti largojë disa nga përdoruesit e rivalit të saj në aplikacionin e ri të kompanisë.
Për dallim nga Snapchat, WindUp nuk i ndan informacionet lidhur me lokacionin e përdoruesit.

Aplikacioni është zhvilluar nga ekipi i Microsoft Research dhe nuk është i vetmi klon i Snapchat që ka depërtuar në treg në kohët e fundit.

Facebook gjithashtu e ka lansuar aplikacionin e saj Slingshot, ndërsa Instagram e ka prezantuar edhe një rival tjetër të Snapchat të cilin e ka quajtur Bolt. (Telegrafi)