Pas sulmeve zingjirore terroriste që goditën Brukselin, gjatë mëngjesit të sotëm, ku deri më tani janë raportuar 34 persona të vdekur, e shumë të lënduar, në secilin vend është shkaktuar kaos dhe janë shtuar masat e sigurisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelanin, tha se tashmë edhe në Kosovë janë shtuar masat e sigurisë.
“Duke iu referuar situatës së fundit Policia e Kosovës ka ndërmarr masa shtesë me qëllim të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë vendin”, tha Kelani.
Ai tha se Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë janë duke bërë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga secili aktivitet kriminal apo edhe ndaj çdo kërcënimi të mundshëm terrorist.
“Me qëllim të parandalimit të sjelljeve të të dyshuarve që kryejnë ndonjë vepër të tillë penale Policia e Kosovës, është duke monitoruar çdo lëvizje edhe pse deri më tani Kosova, nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në vend“, tha Kelani, njofton Klan Kosova.