Site icon Telegrafi

Edhe KOMF-i kërkon të hetohet vdekja e 4-vjeçares në QKUK: Ngjarje e paprecedent

Foto: Ilustrim

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka reaguar me shqetësim lidhur me rastin e ndodhur të hënën në QKUK, i cili përfundoi me vdekjen e një vajze 4-vjeçare nga Gjakova.

Në reagimin e KOMF-it thuhet se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

“Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë”, thuhet në komunikatën për media.

“Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj”.

Lexo po ashtu Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, PRAK: Neglizhencë dhe sistem shëndetësor i brishtë, rasti të hetohet 

Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që sipas KOMF-it ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor.

Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF-i ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale”.

Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë kërkuar po ashtu zbatim të plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.

“KOMF do të vazhdojë të ndjekë nga afër procedimin më tej të këtij rasti nga ana e institucioneve dhe do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie prej tyre, duke çuar ku duhet përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët tanë zhvillohen në mjedis të sigurt dhe  përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen dhe janë themel i zhvillimit të shoqërisë. KOMF i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e rëndë dhe uron që të tilla raste të mos përsëriten”, bëhet e ditur në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version