Telegrafi

Edhe kjo ndodh në Ganë, parlamentit i ndërpritet energjia elektrike shkaku i borxhit prej 1.66 milion euro

Kompania shtetërore e Energjisë Elektrike e Ganës (ECG) ndërpreu furnizimin me energji elektrike të parlamentit shkaku i borxhit prej 23 milion cedi ganez (1.66 milion euro).

Ndërprerja erdhi në kohën kur po mbahej një seancë e veçantë rreth fjalimit të presidentit për gjendjen në vend, raporton bbc.

Një video e shpërndarë nga mediat lokale tregoi deputetët në dhomën me ndriçim të dobët duke brohoritur, “Dumsor, dumsor”, e cila në gjuhën lokale Akan do të thotë ndërprerje e energjisë.

Mediat lokale raportuan se seanca parlamentare vazhdoi pas aktivizimit të gjeneratorit.

Por, pjesë të tjera të ndërtesës së parlamentit mbetën pa energji për pjesën më të madhe të ditës përpara se të riktheheshin furnizimet.

Energjia elektrike erdhi gjatë ditës pasi parlamenti pagoi 13 milion cedi (950 mijë euro).

Kompania e energjisë elektrike e Ganës, e cila po përballet me vështirësi të mëdha financiare, ka nisur shkëputjen e energjinë së klientët që kanë borxhe.

Ndryshe, furnizuesit privatë të energjisë elektrike u detyrohen 1.6 miliardë dollarë kompanive shtetërore të energjisë. /Telegrafi/