Site icon Telegrafi

Edhe katër ditë deri në përmbyllje të konkursit për policë në MPB

Në Ministrinë e punëve te brendshme në rrjedhë e sipër është konkursi për pranimin e 600 policëve, ndërsa kandidatet  e rinj do të pranohen në bazë të procedurës dhe përzgjedhjes së paraparë sipas rregullores së MPB, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Për atë se si rrjedh procesi i konkurrimit dhe sa është interesimi për këtë konkurs, sonte në ditarin qendror të TVM2 ka folur zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Ai ka bërë të ditur se konkursi do të zgjasë deri të premten e kësaj jave, prandaj dhe ka apeluar te të gjithë të interesuarit që të konkurrojnë brenda këtij afati.

Ai njëkohësisht është zotuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për pengimin e çfarëdo diskriminimi të kandidatëve shqiptarë gjatë seleksionimit.

“Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është vlerë kushtetuese dhe masë afirmative që ka për synim eliminimin e një pabarazie faktike në fushën e punës dhe marrëdhënies së punës” ka thënë Nuhiu duke vënë në dukje edhe angazhimin për barazi jo vetëm formale por edhe përmbajtjesore./Telegrafi/

Exit mobile version