Telegrafi

Edhe Greqia me të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Ambasadorja e Greqisë në Bukuresht, Sofia Grammata, është emëruar e dërguara speciale e Ministrisë së Jashtme për Ballkanin Perëndimor.

Vendimi i marrë nga ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, tregon se Greqia “i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit” në rajon.

“Në këtë drejtim, ajo promovon konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, të ligjit ndërkombëtar dhe mbështet në mënyrë aktive perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, njoftoi ministria.

Lexo po ashtu Pas SHBA-së, BE-së dhe Britanisë edhe Gjermania me të emëruar special - katër emisarët për Ballkanin Perëndimor

Grammata mori detyrën si e dërguare e Greqisë në Rumani, me akreditimin e njëkohshëm në Moldavi në vitin 2019, raporton ekathimerini.

Ajo kishte shërbyer më parë si drejtuese e Drejtorisë për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme.

Sidoqoftë, Grammata do të vazhdojë të kryejë detyrat e reja paralelisht me ato ekzistuese.

Ndryshe, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor kanë edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Bashkimi Evropian. /Telegrafi/