Rreth 1600 komisionerë që u përkujdesën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 19 nëntor 2017 si dhe rivotimi për zgjedhjet lokale të Komunës së Istogut të mbajtura në fund të muajit dhjetor, ende nuk janë paguar nga KQZ për punën e bërë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në emisioni “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini tha se KQZ-ja nuk ka mjete për t’i kryer këto pagesa, pasi Ministria e Financave ua ka tërhequr mjetet e fundit në xhirollogarinë e tyre, transmeton Telegrafi.
Sipas saj, zgjedhjet e fundit janë mbajtur në fund të dhjetorit, gjë e cila ka bërë të pamundur pagesën e komisionarëve pasi është edhe përfundimi i vitit fiskal nga Ministria e Financave.
“1600 komisionarë nuk janë paguar për arsye se në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në komunën e Istogut, ka ndodh në përfundim të vitit fiskal. Pra të gjitha mjetet që i kemi pasur në xhirollogarinë tonë janë tërheq nga Ministria e Financave. Kemi kërkuar përsëri nga Qeveria e Kosovës që të na mundësoj që këto mjete t’i tërhiqem përsëri për pagesën e komisionarëve, mirëpo qeveria na ka thënë që në atë moment nuk ka mjete dhe këtë me siguri që do ta bëjmë në rishikim të buxhetit i cili do të ndodhë shumë shpejt. Ndërsa arsyeja tjetër është mbyllja e vitit fiskal të cilat mbyllen përafërsisht më 21-22 dhjetor dhe ne zgjedhjet e fundit i kemi mbajt deri në fund të dhjetorit, pra më 27 dhjetori i kemi certifikua. Nuk kemi më mjete të destinuara për pagesën e komisionerëve…”, ka thënë Daka. /Telegrafi/