Telegrafi

Edhe gjashtë ditë fushatë, partitë kërkojnë votat e qytetarëve

Kanë ngelur edhe gjashtë ditë deri në përfundimin e fushatës parazgjedhore, ndërsa subjektet politike kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.

Telegrafi Maqedoni ua sjell të përmbledhura në një vend takimet që gjatë ditës së djeshme partitë i realizuan me qytetarët.

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM, pjesë e të cilit është edhe Lëvizja Besa dje ka paralajmëruar se përmes politikave konkrete, efikase dhe strukturore, zotohen se shkallën e papunësisë së të rinjve deri në vitin 2024 ta sjellin nën 17 për qind.

Zoran Zaev tha se do të sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejtë të ndërmarrësisë së të rinjve dhe të grave, përmes granteve në lartësi prej 5 deri 15 mijë euro, mjete të pakthyeshme për fillimin e biznesit personal.

OBRM-PDUKM dje ka qëndruar në Vasilevë, prej ku kryetari i kësaj partie Hrisijan Mickoski tha se janë të gatshëm për zgjedhjet e 15 korrikut.

Kandidati i BDI-së për kryeministër të parë shqiptar, Nase Ziberi, megjithatë, në konferencën e djeshme për shtyp para Qeverisë ku prezantoi pjesë të programit të vet shfaqi pritje që kandidatura e tij për kryeministër të mbështetet nga pjesëtarët e të gjitha bashkësive etnike.

Ai paralajmëroi Gjykatë të Lartë të Barazisë, institucion të ri, i cili do të sigurojë drejtësi të barabartë dhe do të hetojë të gjitha rastet e dyshuara të diskriminimit etnik në sallën e gjyqit, në administratën shtetërore, nga autoritetet, në shkolla dhe në punë.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nga Kumanova i kanë ftuar votuesit t’i përkrahin më 15 korrik dhe theksuan se është koha për ndryshime në shoqërinë shqiptare në shtet.

Ata kanë paraparë projekte në më shumë sfera, të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët, zhvillim i barabartë në të gjitha mjediset, furnizim me ujë, kanalizime, rrugë, infrastrukturë të përgjithshme, e cila është e domosdoshme për funksionimin e përditshëm.

PDSH-ja e Menduh Thaçit, dje mbajti tubim në Strugë, ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputetë në njësinë e pestë zgjedhore, Vasfi Doko dhe Astrite Kaba.

Në fjalën e tij mes tjerash Menduh Thaçi u shpreh: “Ne padiskutim se do të jemi ngadhënjyes në këto zgjedhje. Padiskutim se prej nesh do të varet qeveria por diçka është e diskutueshme, të mundohemi popullit tonë t’i sqarojmë se sa më e madhe të jetë mbështetja, jo vetëm që ato do të pranojnë kushtin tonë për zv. kryeministër por do ta pranojnë për herë të parë Ministrin e Punëve të Brendshme shqiptar. Votat që ne i marrim si PDSH do të jenë përcaktuese për fuqinë politike dhe institucionale të shqiptarëve në RMV”.

Ndryshe, fushata përfundon më 12 korrik në orën 24 kur edhe zyrtarisht fillon heshtja parazgjedhore./Telegrafi/