Site icon Telegrafi

Edhe dy raste me COVID-19 në Malishevë, komuna apelon qytetarët të zbatojnë masat

Në 24 orëshin e fundit janë konfirmuar edhe dy persona të prekur me COVID-19 në Komunën e Malishevës.

Komuna e Malishevës, përkatësisht shtabi emergjent komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19, u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë udhëzimet dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, pasi nuk ka formë tjetër të luftimit të këtij virusi, me përmasa globale.

“Qytetarë të nderuar, ju lutemi që t’i zbatoni masat preventive, pasi kjo mbetet e vetmja mënyrë e luftimit dhe e parandalimit të përhapjes së virusit. Mbani maska, respektoni distancën sociale, mbani higjienën personale, gjegjësisht pastroni duart sa më shpesh që mundeni, në maksimumin e mundshëm shmangni grumbullimeve të njerëzve”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Në njoftim thuhet se gjendja aktuale në Komunën e Malishevës, është e menaxhueshme, dhe situata aktuale me COVID-19, është si vijon: nga 83 të prekur deri më tani 76 janë shëruar, 5 raste janë aktive dhe 2 persona kanë vdekur. /Telegrafi/

Exit mobile version