Site icon Telegrafi

Edhe dy qytetarët nga Kaçaniku të lënduar nga shpërthimi i gazit në Ferizaj do të dërgohen për trajtim jashtë vendit

Nga shpërthimi i gazit në Ferizaj kanë pësuar edhe dy qytetarë nga Komuna e Kaçanikut.

Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi ka thënë se edhe këta qytetarë do të dërgohen për trajtim jashtë vendit.

Ai ka thënë se dy qytetarët në fjalë kanë djegie nën 40% për dallim nga ata që tashmë janë dërguar për shërim që kanë pasur djegie 50%.

Ilazi ka thënë se qytetarët në fjalë nuk kanë mundur të dërgohen për trajtim jashtë vendit për shkak të kapaciteteve spitalore e jo për shkak të mungesës së financave nga ana e shtetit.

Postimi i plotë i Besim Ilazit:

Të dashur qytetarë,

Sot gjatë tërë ditës me kujdes të shtuar dhe me shqetësim kemi përcjellur situatën e krijuar rreth trajtimit të të lënduarve në Ferizaj, dy prej të cilëve janë nga komuna jonë. Shqetësim më të madh ndajmë sidomos me rastin e manipulimit nga ana e portaleve dhe qytetarëve të caktuar, ku edhe në këso situata gjejnë kohë për propaganda.
Pas kontakteve të vazhdueshme që kisha me Ministrin e Shëndetësisë, drejtuesit në QKUK dhe me kryetarin e Komisionit për vlerësimin e pacientëve për trajtim jashtë shtetit, u njoftova se ata po vazhdojnë të trajtohen në Prishtinë, ndërsa pritet që të transferohen në Turki, Slloveni ose në Austri për trajtim të mëtejmë. Dy nga pacientët e parë që shkuan sot për trajtim në Turki, gjithmonë sipas krerëve të QKUK-së kanë djegie afër 50 %, ndërsa dy nga komuna jonë kanë djegie nën 40 %. Pra rastet janë trajtuar sipas shkallës së djegies. Kurse edhe të tjerët së shpejti pritet të transferohen jashtë vendit, sapo të krijohen kushtet dhe kapacitetet nga ana e spitaleve aty, e jo në mungesë të mjeteve, ashtu edhe siç është aluduar.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotshme, kam kontaktuar Dr. Lul Rakën si dhe kam marrë informacionet e duhura për dy qytetarët e komunës së Kaçanikut.

Ndërkohë, ju bëjmë me dije se në asnjë rast, nuk dëshirojmë të propagandojmë, e sidomos në rast të fatkeqësive me jetë njerëzish.
Duke ju bërë thirrje disa faqeve që mos të manipulojnë me familjarët e të lënduarve, të lutemi së bashku për shërimin e shpejtë të tyre. Mbesim në kontakt për çdo zhvillim të ri.

Exit mobile version