Ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të rreth 200 mijë eurove si dhe ka dyshime se është blerë makineri me pjesë të riparuara. Policia financiare rastin e ka përcjellë në Prokurorinë Publike, por nga Prokuroria ende nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Rastet që janë në procedurë para hetimore dhe hetimore tashmë janë nën juridiksionin e Prokurorisë Publike. Bëhet fjalë për raste ku kryesisht fabrika dhe kombinate bujqësore blejnë pajisje, e cila nuk është në përputhje me standardet evropiane. Nga Policia financiare procedura ka përfunduar, ndërsa Prokuroria publike nuk mund të japë ende asnjë përgjigje”,- ka deklaruar për TVM2, drejtori i Policisë financiare, Aleksandar Trgaçevski.
Për ti tejkaluar problemet e këtilla është i patjetërsueshëm formimi i një departamenti të veçantë për hetim në Ministrinë e financave.
Përfaqësuesi i delegacionit të BE, Martin Klauke, ka thënë që lufta kundër mashtrimeve dhe korrupsionit është element kyç për përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE.
“Lajmërimet për parregullsi duhet të forcohen, si dhe duhet të forcohet edhe ndërgjegjësimi i të gjithëve. Duhet të bëhen trajnime për ngritjen e aftësive profesionale të personave kyç të cilët punojnë në administratën publike”,- ka thënë përfaqësuesi i delegacionit të BE, Martin Klauke.
Përfaqësuesi i BE, Klauke, ka përkujtuar në lidhje me fondet IPA për Maqedoninë, se Komisioni paraprakisht ka sqaruar shqetësimin për mos planifikimin e sektorëve dhe mospasjen e një politike për reforma strukturore, për çka dhe e ka marrë vendimin për tërheqjen dhe zvogëlimin e mbështetjes financiare./Telegrafi/