Nga: Fahredin Spahija
Më 2 mars 2022, në profilin tim në Facebook e bëra një reagim me vetëm një fjali: “A e keni përnime?!” Reagimi im ndërlidhej me informatën e postuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës, për përgatitjet e premierës së parë për vitin 2022. Fjala është për shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta” të koreografit rus Konstandin Uralsky, të cilën institucioni ynë i rëndësishëm kulturor ka paraparë ta japë si premierë, me 24 mars 2022.
Reagova sepse – pas invadimit brutal rus në shtetin e pavarur e sovran të Ukrainës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Unioni Evropian, Kanadaja, Japonia, Australia e shumë shtete tjera nga gjithë globi (përfshirë Kosovën!), vendosën që Rusia të sanksionohet me embargo të fuqishme.
Kundërpërgjigjet e botës së qytetëruar nuk kufizohen në fushën e kulturës. Jo. Kjo dëshmohet me faktin se nga institucionet prestigjioze kulturore, kudo në botë, erdhën reagimet për ndërprerje të çdo aktiviteti të artistëve që nuk e kundërshtojnë pushtimin e Rusisë në Ukrainë e të cilët kanë lidhje të forta me diktatorin Vladimir Putin dhe me administratën e tij.
Kështu, Filharmonia e Munihut ishte e para që e liroi nga kontrata dirigjentin rus Valery Gergiev. Sipas ditores “The Guardian”, ky vendim ishte rezultat i hezitimit të Gergievit që të distancohet nga miku dhe nga mbështetësi i tij i ngushtë, Vladimir Putin. Pas Munihut, Opera Metropolitan e Nju-Jorkut njoftoi se e ka ndërprerë bashkëpunimi me yllin e operës botërore – me rusen Anna Netrebko. Drejtori i kësaj shtëpie të madhe operistike, Peter Gelb, në një prononcim për revistën amerikane “Newsweek” ka thënë: “Anna është një nga këngëtaret më të mëdha … por, e lidhur ngushtë me Putinin që vret njerëz të pafajshëm në Ukrainë”. Edhe “La Scala” e famshme e Milanos bëri me dije se e ka ndërprerë bashkëpunimin me dirigjentin Valery Gergiev. Pse? Sepse nuk iu përgjigj pyetjes së thjeshtë se a e dënon a jo invadimin rus në Ukrainë. “Nuk u përgjigj”, raporton Reuters, teksa e citon Giuseppe Salan – shefin e bordit të “La Scala”-s që është edhe kryetar i Milanos. “Nuk do të punojë këtu”. Po për këtë, Gergiev u refuzua edhe nga Filarmonia e Roterdamit.
Janë të shumtë shembujt e tillë të solidaritet me viktimat e Ukrainës. Lexuesi shqiptar ka mundësi t’i lexojë kudo ato. Mund të lexojë jo vetëm për refuzimin e artistëve të gjallë rusë që nuk e dënojnë regjimin e Putinit, po edhe të ligjëratave për rusët e vdekur – për veprat që mund të ngjallin kontroversa (siç është rasti me ndalimin e ligjëratave për Dostojevskin, në Universitetin Milano-Bicocca). Ndërkaq, në Kosovë, në kryetituj të mediave që mëtojnë se janë profesionale, citohet koreografi Konstantin Uralsky të thotë se “është kundër luftës”. Ai nuk përgjigjet, por e jep një arsyetim të njëjtë si Putini për të cilin në Ukrainë nuk ka as luftë e as pushtim, pos “një operacion special”! Po të pyetej Uralsky se a konsideron Baletin Kombëtar të Kosovës si institucion të shtetit të Kosovës, mbase do të fliste “për marrëdhëniet e mira mes popujve”.
Por, kush është koreografi rus Konstantin Uralsky të cilin e ka angazhuar Baleti Kombëtar i Kosovës?
E vërteta është se kemi të bëjmë me një profesionist të koreografisë së baletit klasik dhe të atij modern. I shkolluar në Akademinë e Koreografisë në Moskë, punoi si balerin në Teatrin “Bolshoi”. Të njëjtën kohë merr mësime plotësuese koreografie nga profesoresha Olga Tarasova. Pas rënies së Murit të Berlinit (1989) e pas përmbysjes së Paktit të Varshavës, Uralsky vendoset në ShBA me shpresën se arti i tij atje do të vijë më në shprehje.
Por, ndryshe nga të tjerët – si balerinët Rudolf Nureyev dhe Mikhail Baryshnikov – të cilët e braktisën Rusinë (në kohën e BRSS-së) duke kërkuar azil politik në Francë e në Kanada, Uralsky largohet nga Rusia për arsye praktike e jo politike. Këtë e ka thënë në një intervistë tek e përditshmja njujorkeze “The New York Times” (më 4 mars 2005): “Kisha dy vjet që studioja koreografinë. Pashë se isha nën ndikimin e (Yuri) Grigorovichit”, ka thënë ai duke iu referuar drejtorit të Baletit “Bolshoi”. “Por, për ta gjetur veten, duhej t’ia nisja rishtas; ta pastroja trupin tim. Nuk u largova nga trupa për arsye politike”.
Pas një karriere të bujshme në ShBA e në disa shtete evropiane (duke mos i shkëputur kurrë lidhjet me Rusinë), Uralsky më 2005 vendoset në Moskë. Rikthimi i tij në vendin e origjinës lidhet (rastësisht apo qëllimisht) me ardhjen në pushtet (absolut) të Vladimir Putinit. Dhe, që atëherë – e deri më sot – Uralsky ishte udhëheqës i trupave të ndryshme dhe laureat i çmimeve të mëdha të shtetit rus: në vitin 2008 i jepet Çmimi i Qeverisë së Federatës Ruse në fushën e Kulturës; në vitin 2016, me dekret të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, merr titullin Artist Nderi i Federatës Ruse (shih më poshtë vendimin e Putinit); në dhjetor të po të njëjtit vit iu nda çmimi i nderit “Për kujdes ndaj (vlerave të) popullit”, çmim ky i krijuar nën patronazhin e Komisionit të Federatës Ruse për UNESCO (trupë qeveritare ku është e kyçur Qeveria ruse, meqë që nga koha e BRSS-së tentohej të pengohej kontakti direkt i intelektualëve me zyrtarët e UNESCO-s).
Pos refuzimit për t’u përgjigjur nëse është apo jo pro pushtimit rus të Rusisë, këto tri raste – ku deri në irritim përmendet Federata e Rusisë – janë dëshmi e raporteve të tij të ngushta me pushtetin politik në Kremlin. Këto të dhëna do të duhej të mjaftonin që krerët e Baletit Kombëtar të Kosovës (të Këshillit Drejtues dhe të ushtruesit të detyrës së Drejtorit), por edhe vet trupa, të vendosin për ndërprerjen e angazhimit të koreografit Uralsky – si një akt moral i solidarizimit të institucioneve të Kosovës me vuajtjet e popullit të Ukrainës, të shkaktuara nga çmimdhënësi dhe punëdhënësi i tij, Vladimir Putin. Këtë duhet ta bëjë menjëherë Baleti Kombëtar i Kosovës, e të mos e ngarkojë ndërgjegjen me një veprim që shkon në kundërshtim me parimet humane dhe me reagimet e botës së qytetëruar.
Ditëve të fundit lexova me vëmendje shumë materiale që kanë të bëjnë me koreografin Uralsky. Në asnjë shënim të tij, por edhe në intervistat e shumta që ka dhënë, nuk hasa ta ketë quajtur ndonjëherë veten si ruso-amerikan, siç pretendojnë ta cilësojnë (amnistojnë!) drejtuesit e Baletit Kombëtar dhe disa media tona (Kallxo.com më 3 mars 2022 dhe Koha Ditore më 4 mars 2022), sepse qëndrimi i tij në Amerikë ishte përpjekje për ta pjekur “zanatin”. Këtë e ka thënë edhe për portalin “mylandrover.com” kur për jetën dhe karrierën në Amerikë shprehet: “Atëherë isha koreograf fillestar. Kur shkova, e zbulova një botë krejtësisht të re”. Këto mund të verifikohen edhe në ueb-faqen e koreografit (http://www.uralsky.com). Askund as edhe një shenjë për “identitetin” e tij ruso-amerikan (siç nuk e ka asnjë lajm, as në ueb-faqe as në profilin e tij në Facebook, se momentalisht është angazhuar nga një institucion shtetëror i Kosovës).
Jam adhurues i punës që Baleti Kombëtar i Kosovës ka bërë që nga paslufta. Dhe, një pjesë jo e vogël e artit tim fotografik ka për subjekt pikërisht shfaqjet e kësaj trupe. Por, në këtë aspekt nuk mund të tregohem aspak solidar. Në fakt, pres nga ky institucion një veprim të arsyeshëm dhe solidar me shtetin tonë dhe me botën e qytetëruar. Arsyetimet boshe në emër të artit – sidomos nga profiterët që po në emër të artit e kanë degraduar vlerën dhe artin në Kosovë – nuk duhet të pinë më ujë. Artisti i mirë duhet të jetë edhe idealist që e ka guximin ta thotë të vërtetën. E vërteta është se populli i Ukrainës po vuan, siç kemi vuajtur ne dikur nga një pushtet me mendësi të njëjtë si të Vladimir Putinit. Të gjithë aleatët e Kosovë, shtetet e civilizuara që dikur na kanë ndihmuar të çlirohemi e të bëhemi shtet, e kanë sot të njëjtën empati për vuajtjet e ukrainasve. Për njerëzoren. E, Uralsky nuk është përgjigjur ende në pyetjen që institucionet prestigjioze të botës normale ia kanë shtruar artistëve rus: a e dënon pushtimin rus të Ukrainës?
Për fund, ai që bën art ka edhe kurriz. Shpresoj që institucionet e Kosovës do të ta kenë parasysh këtë; se do të reagojnë për angazhimin e koreografit Uralsky, mbi të gjitha për t’na mbajt me shpresën se arti i Kosovë nuk ka mbetur në karrocë invalidësh.