Ministria e Punëve të Jashtme njofton se nëpërmjet kanaleve të ndryshme të transportit, edhe dhjetë shtetas tjerë janë larguar nga Izraeli, respektivisht: katër me avion për në Athinë, pesë për në Podgoricë dhe një person me fluturim për në Stamboll; së bashku me ata që e kanë bërë më parë këtë, numri i përgjithshëm për dy ditët e fundit ka kaluar 30 shtetas tanë që janë larguar nga Izraeli.
Nga MPJ thonë se ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, në koordinim të ngushtë me shtabin e krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, punon në mënyrë aktive për kthimin e 100 qytetarëve tanë të tjerë, të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga Izraeli dhe të cilët kryesisht ndodhen në vende të sigurta.
“Një pjesë e tyre tashmë kanë siguruar bileta përmes fluturimeve të rregullta që janë aktive përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tel Avivit i cili është në funksion të plotë. Disa prej tyre ndodheshin në zona të prekura nga dhuna që konsiderohen të pasigurta, për të cilët tashmë është siguruar transporti i brendshëm nëpër territor të Izraelit për t’i transferuar në një vend të sigurt, nga ku mund të dërgohen në shtëpi. Mes tyre janë dy shtetas tanë në Rripin e Gazës, për nxjerrjen e të cilëve është ngarkuar Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kajro, e cila është në komunikim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Egjiptit”.
“Siç kemi njoftuar më herët, sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, deri në 200 qytetarë tanë janë duke qëndruar në territorin e Izraelit, shumica e të cilëve janë lokalizuar me saktësi dhe mbahet komunikim i rregullt me ta, deri në kthimin e tyre në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Punëve të Jashtme përgatiti informacionin për situatën në Izrael, me një projeksion për ditët në vijim, i cili iu dorëzua Qeverisë, e cila vendos për hapat e ardhshëm”.
“Ndërkohë ju bëjmë thirrje shtetasve tanë në Izrael që të ndjekin Portalin Nacional për raste urgjente (www.oref.org.il), të a.q. Home Front Command, i specializuar për mbrojtjen civile, i cili doli me rekomandime të reja për popullatën, si dhe respektimin e të gjitha udhëzimeve të tjera të institucioneve kompetente të Izraelit”, thonë nga MPJ.
Prej atje gjithashtu rikujtojnë se kanë në dispozicion dy linjat telefonike SOS – 075/273-732 dhe 075/268-736, si dhe linjën telefonike të Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926 -7378./Telegrafi/