Site icon Telegrafi

Edhe Ambasada amerikane reagon për sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog

Gjatë ditës së diel në fshatin Studenicë të Istogut janë sulmuar autobusët me pelegrinë serbë.

Këtë e ka konfirmuar për mediat, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

Sipas Ibrajt, dy autobusët bartnin rreth 170 pelegrinë serbë, të cilët kishin leje për vizitën në Manastirin e Studenicës.

Rreth këtij sulmi, përcjell Telegrafi, kanë reaguar edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, si dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Dhe përveç reagimit të tyre, ka ardhur edhe një nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Përmes një postimi në mediat sociale, Ambasada amerikane ka thënë se janë të zhgënjyer me dhunën e përdorur për të frikësuar pelegrinët në Istog.

Sipas Ambasadës amerikane, atyre duhet siguruar liria e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

“Përgëzojmë liderët e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi për deklaratat e tyre të forta që dënojnë këtë dhunë dhe mbështesin përpjekjet e policisë për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane. /Telegrafi/

Exit mobile version