Pasi në Maqedoni janë shtuar sulmet ndaj gazetarëve, janë shtuar edhe reagimet ndaj kësaj dukurie ku mbi të gjitha kërkohet që mos preken gazetarët dhe mos të preket e drejta e gazetarëve për të informuar.
Në adresë të Telegrafi Maqedoni ka mbërritur një reagim i Aleancës për Shqiptarët, koalicioni në mes LR-PDSH-së, RDK-së dhe Uniteti, ku në mes tjerash thuhet: Sulmi ndaj gazetarëve, vrasje e lirisë së fjalës!
”Tentativat për të sulmuar mediat dhe gazetarët në një shtet që pretendon të integrohet në vlerat demokratike, është veprim arrogant i cili nuk i shërben mirëqenies dhe ndërtimit të vlerave evropiane.”
”Aleanca për Shqiptarët dënon çdo akt dhune dhe çdo sulm, qoftë edhe verbal ndaj çdo qytetari dhe gazetari, e në këtë rast ndaj gazetarit Borjan Jovanovski.”
Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që rastin ta ndriçojnë sa më shpejtë dhe të mbrojnë qytetarët dhe gazetarët duke respektuar konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut e sidomos lirinë e të shprehurit dhe mediave.”
”Çdo sulm dhe provokim ndaj mediave dhe gazetarëve është krejt e papranueshme për një shtet që tenton të kthejë vlerat demokratike dhe sundimin e të drejtës.” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët. /Telegrafi/