Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate i kanë dhënë mbështetje platformës për dialogun me Serbinë dhe paralajmëruan se do ta votojnë.
Deputetja Time Kadrijaj ka folur në emër të deputetëve të AAK-së, e cila ka thënë se do ta përkrahin dokumentin.
“Ne e kemi përkrahur dhe do ta votojmë”, tha ajo
Mbështetje platformës shtetërore për dialogun me Serbinë i ka dhënë edhe Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate.
“Nisma do ta mbështesë. Vjen në kohën kur lloj-lloj idesh, skenarësh për copëtimin, ndarjen. I jep përgjigje të gjitha atyre shqetësimeve që ta mbështesim. Nuk është e udhës që të pritet shmangie nga tavolina, shmangie nuk është rruga e duhur. Kjo fazë e fundit nuk do të lejojë delegacionin që të mbajnë duart në xhepa se do të kenë një dokument në dorë që të shkojnë dhe ta mbrojnë atje”, tha ai.
Ndryshe, më herët edhe PDK-ja i ka dhënë mbështetje platformës për dialogun me Serbinë, e cila është pjesë e diskutimeve të sotme të Kuvendit të Kosovës.