Teksa nga ana tjetër, dje zëvendëssekretari i përgjithshëm i FSHF-së, njëkohësisht edhe shef i garave në federatë, Besnik Çela, ka pohuar se do vijohet të punohet njëlloj me pajisjen me nënshtetësi dhe pasaporta shqiptare të lojtarëve kosovarë. “Qëndrimi ynë kundrejt kosovarëve nuk ndryshon. Aktualisht ne kemi 6 lojtarë, që pritet të luajnë në ekipet e moshave, të cilëve po u përgatisim dokumentacionin për t’u pajisur me nënshtetësi dhe më pas me pasaporta. Në këtë këndvështrim do vijojmë edhe më tej. Nëse do ketë lojtarë cilësorë që do t’u bëjnë punë trajnerëve të ekipeve tona kombëtare dhe ata lojtarë do kenë dëshirë të përfaqësojnë Shqipërinë, ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë punën tonë. Këtu nuk është fakti se ne do i bëjmë konkurrencë Kosovës, por nëse një lojtar cilësor kosovar do dëshirojë të luajë për Shqipërinë dhe neve na intereson, atëherë nuk ka arsye pse të mos e pajisim me pasaportë”, ka theksuar Çela për “Panorama Sport”.
Aktualisht, federata ka dërguar në presidencë për nënshtetësi emrat e Heroid Gjoshit, i cili aktivizohet me Grasshopersin në Zvicër; Ardit Humollit, pjesë e ekipit U-17 të Rapidit të Vjenës në Austri; si dhe David Domgjonit, Endrit Grainçan, Visar Bekajt dhe Agim Zekës, të cilët luajnë në Kosovë respektivisht me Lirinë e Prizrenit, Ferizajn, Ramiz Sadikun dhe Prishtinën. Sigurisht, ekziston mundësia që edhe këta të fundit të pajisen me pasaportë dhe më pas të shkojnë të përfaqësojnë Kosovën, ashtu sikundër ka pohuar deri tani edhe qendërmbrojtësi i Helsingborgut, Loret Sadiku.
Ndërkohë nën veshjen e shefit të garave, Çela ka bërë edhe një rezyme të vijimësisë së merkatos dhe licencimeve në federatë. Sipas tij, klubet e kanë bërë rrugë tashmë faktin se, edhe kur prezantojë zyrtarisht lojtarë, nuk shkojnë në FSHF për ti licencuar menjëherë. “Jemi mësuar tashmë. Edhe pse ka kaluar gjysma e muajit, nuk ka pasur asnjë klub që të regjistrojë lojtarët e rinj të kësaj merkatoje. Zakonisht vijnë ditën e fundit dhe deri diku i mirëkuptoj, pasi tratativat janë të tilla që mund të përmbysen nga momenti në moment. Megjithatë, kam përshtypjen se nuk do ketë shumë lëvizje lojtarësh, pasi pjesa më e madhe e tyre janë në kontrata. Do duhet që më së pari të ketë dakordësi mes klubeve, pozicion në të cilin nuk ndërhyn federata. Teksa nuk shikoj shumë afrime edhe nga jashtë”, ka përfunduar Besnik Çela. /Tribuna/Telegrafi/