Telegrafi

Edhe 5 vjet me dy operatorë të telefonisë mobile

Në mbledhjen e radhës së ekzekutivit, të enjten janë miratuar edhe propozim-vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme në rrugën M9, nga Fushë Kosova deri në Arllat, rrugën M2, nga Prishtina deri në Mitrovicë, dhe ngastrën 7497 sipas fletës poseduese nr. 6590 në zonën kadastrale në Prishtinë, projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, propozim-vendimi për deklarimin e dividendës nga PTK-ja, si dhe pika tjera të rendit të ditës.

Duke paraqitur projektligjin për qasje për dokumente publike, zëvendëskryeministri, Ramë Manaj ka theksuar se miratimi i këtij ligji mundëson praktika më efikase dhe më të mira administrative, si dhe u garantohen qytetarëve që institucionet të gëzojnë transparencë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka paraqitur një rekomandim shtesë, i cili i bëhet ART-së për mos dhënien e licencës ndonjë operatori tjetër (të tretë) në një periudhë 5-vjeçare. Kjo për arsye të arritjes së çmimit sa më të lartë të shitjes të operatorit Vala.

Qeveria ka vendosur që MASHT-i të akordojë 11 500 euro, Ministria e Kulturës 3 500 dhe Zyra e Kryeministrit 4 000 euro Shoqatës së matematikanëve të rinj për pjesëmarrje në olimpiadën e ardhshme në Amsterdam.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi propozoi që Qeveria e Kosovës të marrë përsipër shpenzimet për shërim jashtë vendit për deputetin Ali Lajçi, raportoi Kosovapressi.