Telegrafi

Edhe 28 vjet pas vdekjes së Freddie Mercury, këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen në gjithë botën

(Foto:Getty Images/Guliver)

Para 28 vitesh ndërroi jetë një prej këngëtarëve më të mëdhenj që ka njohur historia dhe këngët e të cilit vazhdojnë të dëgjohen edhe sot e kësaj dite,  Freddie Mercury.

Këngëtari i grupit “Queen” lindi në vitin 1946 në Zanzibar dhe u pagëzua me emrin Farrokh Bulsara. Filloi të bënte muzikë me grupin e shkollës në Londër, ndërsa emrin Freddie e mori, pasi shokët e tij e kishin të vështirë t’ia thoshin emrin e vërtetë.

Ai mbeti i njohur si njeri i spektaklit, ndërsa jetën e tij kundërthënëse e kanë shënuar skandalet, në veçanti narkotikët dhe numri i madh i partnerëve seksualë, bëri që të infektohej me HIV.

Karriera e tij do të mbahet mend për zërin e jashtëzakonshëm të shpërndarë në katër oktava, prandaj është përfshirë në listën e vokaleve më të mëdha të të gjitha kohërave.

Lexo po ashtu Enigma Freddie Mercury

Ai i shkruante tekstet e këngëve, si edhe angazhohej në kompozimin e muzikës së disa prej hiteve më të mëdha të muzikës botërore.

Freddie Mercury ndërroi jetë më 24 nëntor të vitit 1991, si pasojë e inflamacionit në mushkëri të shkaktuar si komplikim i AIDS-it. /Telegrafi/