Edhe 11 pacientë me Covid-19 nga Ferizaj janë shëruar plotësisht, duke quar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 114.
Ndërsa aktive janë edhe 18 raste.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Komuna e Ferizajt.
“Nga rezultatet e mbrëmshme dhe të sotme nga IKSHPK lidhur me të shëruarit dhe të infektuarit nga virusi COVID-19, rezulton se kemi edhe 11 ferizajas të shëruar , që çon në 114 numrin e të shëruarve, duke mbetur edhe 18 raste aktive”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të angazhohen në mbajtjen në nivel të lartë të vetëdijes së qytetarëve për pandeminë e COVID-19.
Gjatë një vizite në ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, kryeministri Hoti tha se qeveria e tij e ka një plan për përballje afatgjate me pandeminë. /Telegrafi/